Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka publikuar në rrjetet sociale një video ku shfaqet një vajzë duke u larguar nga ambientet e Burgut të Peqinit, ndërsa ngre akuza të forta për mënyrën se si po administrohet institucioni penitenciar.
Sipas Nokës, vajza e filmuar është një eskortë që, sipas pretendimeve të tij, ka hyrë në burg për t’u shërbyer të dënuarve.
Demokrati akuzon qeverinë se gjatë viteve të fundit burgjet janë shndërruar në ambiente luksi për personazhe të botës së krimit.
“Eskorta në burgun e Peqinit. Rama i shndërroi burgjet në motele për bandat e pushtetit. Edhe pse në rrjete sociale u bë virale një video ku shfaqej një qeli luksi, drejtorin e burgut të Peqinit s’e gjeti gjë. Altin Ago vazhdon detyrën e rehatimit të bandave, duke u siguruar që të mos mungojë gjësend”, shkruan Noka.
Akuza për votat e Sara Miles
Pas publikimit të videos, Noka ka shpërndarë edhe një fotografi të procesverbalit të votimit në Burgun e Peqinit, ku socialistja, tashme deputete, Sara Mila ka rezultuar më e votuara në këtë institucion.
Sipas tij, drejtori i burgut, Altin Ago, është “shpërblyer” pikërisht për rezultatin elektoral.
“Drejtori i burgut të eskortave u shpërblye sepse zbatoi porosinë për të shpallur Sara Milën të preferuarën e 90% të të burgosurve. Drejtorit Altin Ago i kanë dalë edhe skandale të tjera, por tani kuptohet pse është i paprekshëm. Karteli e emëron, karteli e mbron”, shprehet Noka.
Skandali i qelisë luksoze në Peqin
Akuzat e opozitës vijnë vetëm pak javë pasi gazetari Artan Hoxha publikoi pamje nga ajo që ai e përshkroi si një qeli luksoze në Burgun e Sigurisë së Lartë në Peqin.
Në videon e publikuar shfaqeshin ambiente të arreduara me mobilie, televizor, kuzhinë dhe punime dekorative, të pazakonta për një institucion vuajtjeje dënimi.

I ftuar në një emision televiziv, Hoxha deklaroi se kishte parë edhe më herët investime të kryera nga persona të botës së krimit brenda burgjeve, por jo në përmasa të tilla.
“Kjo është një qeli në burgun e sigurisë së lartë në Peqin. Kam parë investime në burg të bëra nga personazhe të botës së krimit, por të këtij niveli mu duk e pabesueshme. Kjo nuk është qelia e personit që ka filmuar, por e një personazhi shumë të rëndësishëm të botës së krimit, të narkotrafikut dhe lojërave të fatit”, deklaroi Hoxha.
Nuk ka reagim zyrtar
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve apo nga drejtuesit e Burgut të Peqinit lidhur me pretendimet e ngritura nga Flamur Noka dhe materialet e publikuara në rrjetet sociale./ Marrë nga “Boldnews“











