Policia e Shtetit me në krye Skënder Hitën ka njoftuar zyrtarisht Ministrinë e Arsimit për një rrezik në rritje që u kanoset nxënësve, lidhur me një formë të re të trafikimit dhe përdorimit të substancave psikoaktive.
Në një shkresë zyrtare drejtuar institucioneve arsimore, policia bën me dije se produktet e njohura si “Edibles”, të cilat në pamje të parë duken si produkte të zakonshme ushqimore, përmbajnë nivele të larta të THC-së, përbërësi kryesor psikoaktiv i kanabisit.
Sipas autoriteteve, këto produkte tregtohen kryesisht në formën e xhelatinave, karameleve apo haribove, duke i bërë veçanërisht tërheqëse dhe të vështira për t’u identifikuar nga fëmijët dhe adoleshentët.
Policia ngre shqetësimin se konsumimi i tyre mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin, sidomos te të miturit, duke ndikuar në gjendjen psikologjike dhe fizike të tyre.
Përmes shkresës, autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të shkollave, mësuesve, prindërve dhe vetë nxënësve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të kontribuojnë në ndërgjegjësimin për rreziqet që paraqesin këto produkte.











