Kupa e Botës 2026 nis zyrtarisht sot me ceremoninë hapëse në stadiumin “Azteca” të Mexico City, aty ku më pas do të luhet edhe ndeshja e parë e turneut mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.
Ky edicion është historik, pasi për herë të parë Botërori do të zhvillohet në tri shtete: Meksikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Gjithashtu, për herë të parë në turne do të marrin pjesë 48 kombëtare.
Para fillimit të ndeshjes, FIFA ka përgatitur një ceremoni me muzikë, drita dhe spektakël për tifozët. Në skenë do të ngjiten emra të njohur si Shakira, Burna Boy, Maná, Belinda, Danny Ocean dhe artistë të tjerë.
Vëmendja kryesore do të jetë te kënga e Botërorit, “Dai Dai”, e interpretuar nga Shakira dhe Burna Boy.
Pas ceremonisë, topi do të nisë të rrotullohet me sfidën Meksikë-Afrikë e Jugut, që do të hapë zyrtarisht edicionin e 24-t të Kupës së Botës.











