Thomas Müller ka komentuar debatin e madh te Gjermania para Kupës së Botës, pas rikthimit të Manuel Neuer në kombëtare dhe kalimit të Oliver Baumann në rolin e portierit rezervë.
Legjenda e Bayern Munich mbështet vendimin e Julian Nagelsmann për të rikthyer Neuer, por mendon se mënyra e komunikimit nga trajneri mund të kishte qenë më e mirë.
“Debati u ndez sepse komunikimi ishte i diskutueshëm, por nga ana sportive e kuptoj vendimin”, u shpreh Müller.
Sipas tij, Neuer, kur është në formë, mbetet një nga më të mirët në portë. Megjithatë, Müller theksoi se Baumann nuk duhet të shihet si një lojtar i ulur në status, pasi ai ka treguar se është gati të ndihmojë skuadrën sa herë të jetë e nevojshme.
Neuer mungoi në miqësoret e fundit para Botërorit për shkak të një dëmtimi në pulpë, ndërsa Baumann bëri paraqitje të fortë ndaj Shteteve të Bashkuara, duke realizuar disa pritje të rëndësishme.
Vetë Baumann pranoi se vendimi për rikthimin e Neuer ishte i vështirë për t’u pranuar në fillim, por theksoi se largimi nga kombëtarja nuk ishte kurrë një opsion për të.
“Tani rëndësi ka të fokusohem te vetja dhe te skuadra. Dua të ndihmoj dhe të jap kontributin tim”, u shpreh portieri gjerman.











