Bashkimi Europian ka shpallur emërimet e 33 ambasadorëve të rinj dhe 7 zëvendëskryetarëve të delegacioneve në mbarë botën, në një vendim të njoftuar nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Kaja Kallas.
Për Shqipërinë, është propozuar si ambasadore e re e BE-së Sofia Moreira de Sousa, e cila pritet të zëvendësojë Silvio Gonzaton.
Emërimi i saj do të bëhet zyrtar pasi të merret miratimi i vendit pritës dhe të përfundojnë procedurat administrative të rotacionit diplomatik të Bashkimit Europian për vitin 2026.
Moreira de Sousa ka një karrierë të gjatë brenda institucioneve europiane. Ajo ka shërbyer më herët edhe si ambasadore e BE-së në Cabo Verde, ndërsa aktualisht drejton përfaqësinë e Komisionit Europian në Portugali.
Në paketën e re të emërimeve përfshihen edhe disa poste kyçe në vende dhe organizata të ndryshme, përfshirë Afganistanin, Kinën, Indinë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar, Rusinë, si dhe rajone strategjike në Afrikë, Azi dhe Amerikë Latine.
Po ashtu, janë bërë edhe emërime të reja në drejtimin e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), ku Dominic Porter është caktuar zëvendësdrejtor për Azinë dhe Paqësorin, ndërsa Francesca Di Mauro është emëruar zëvendësdrejtore për Afrikën.











