Julian Alvarez mund të largohet nga Atletico Madrid gjatë merkatos së verës. Sulmuesi argjentinas raportohet se i ka bërë të ditur klubit dëshirën për t’u transferuar, pavarësisht se madrilenët i kanë ofruar një kontratë të re shumë të rëndësishme.
Atletico Madrid ishte gati ta bënte Alvarez lojtarin më të paguar në skuadrën e Diego Simeone, me një pagë që raportohet të shkonte deri në 10 milionë euro në sezon. Megjithatë, kampioni i botës nuk është bindur nga projekti sportiv i klubit dhe kërkon një sfidë më ambicioze.
Sipas Marca, Alvarez dëshiron të luajë në një skuadër që i jep më shumë garanci për trofe të mëdhenj. Barcelona shihet si destinacioni i preferuar i sulmuesit, edhe pse interes për të kanë shfaqur edhe Arsenal dhe Paris Saint-Germain.
Argjentinasi pëlqen projektin e katalanasve dhe mundësinë për të luajtur përkrah emrave si Lamine Yamal dhe Raphinha. Megjithatë, transferimi nuk pritet të jetë i lehtë, pasi Atletico Madrid nuk ka ndërmend ta lejojë largimin e tij me një çmim të ulët, sidomos drejt një rivali direkt në La Liga.
Klubi madrilen raportohet se kërkon më shumë se 150 milionë euro për kartonin e tij. Alvarez ka kontratë deri në vitin 2030 dhe një klauzolë lirimi prej 500 milionë eurosh, gjë që e vendos Atletico Madrid në pozicion të fortë në negociata.
Diego Simeone nuk ka dashur të japë shumë detaje për të ardhmen e lojtarit. “E ardhmja e Julian? Kjo është një pyetje për të, besoj se ai do ta ketë marrë vendimin e tij”, ka thënë trajneri argjentinas.
Pavarësisht situatës, marrëdhënia mes Alvarez dhe Simeone mbetet profesionale. Sulmuesi ka zhvilluar një sezon pozitiv, duke shënuar mbi 20 gola dhe duke ruajtur besimin e trajnerit edhe në periudha më të vështira.
Tani gjithçka mbetet e hapur. Barcelona, Arsenal dhe PSG po ndjekin nga afër situatën, ndërsa Atletico Madrid duhet të vendosë nëse do të qëndrojë e palëkundur apo do të pranojë një ofertë të madhe për një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.










