David Alaba do të largohet nga Real Madrid në fund të sezonit. Klubi madrilen e ka konfirmuar vendimin përmes një komunikate zyrtare, ndërsa mbrojtësi austriak do të marrë lamtumirën në ndeshjen ndaj Athletic Club në Santiago Bernabéu.
Alaba u transferua te Real Madrid në vitin 2021 nga Bayern Munich si lojtar i lirë dhe u bë menjëherë një pjesë e rëndësishme e skuadrës. Një nga momentet më të paharrueshme të tij mbetet festa me karrigen pas përmbysjes ndaj PSG, në rrugën drejt Champions League të vitit 2022.
Megjithatë, dy sezonet e fundit kanë qenë shumë të vështira për shkak të dëmtimeve, që e mbajtën larg fushës për periudha të gjata.
Komunikata zyrtare e Real Madrid:
“Real Madrid CF dhe David Alaba kanë rënë dakord të mbyllin periudhën e tij si lojtar i klubit tonë në fund të sezonit aktual.
Real Madrid dëshiron të shprehë mirënjohjen dhe gjithë dashurinë për një lojtar që ka qenë pjesë e një skuadre që ka shkruar një nga periudhat më të suksesshme në historinë tonë.
David Alaba ka veshur fanellën tonë në 131 ndeshje gjatë 5 sezoneve, ku ka fituar 11 tituj: 2 Champions League, 2 Botërorë për Klube, 2 Superkupa të Europës, 2 kampionate, 1 Kupë Mbreti dhe 2 Superkupa të Spanjës.
Për presidentin e Real Madrid, Florentino Pérez: ‘David Alaba ka fituar dashurinë e të gjithë tifozëve madrilenë për përkushtimin, punën e tij dhe për një imazh ikonik në rrugën tonë drejt Champions League të 14-të, që simbolizoi festën e një fitoreje dhe tashmë është pjesë e historisë së klubit tonë. Real Madrid do të jetë gjithmonë shtëpia e tij.’
Real Madrid i uron David Alaba dhe familjes së tij më të mirat në këtë etapë të re të jetës.
Stadiumi Santiago Bernabéu do t’i bëjë homazh këtë të shtunë, në ndeshjen e fundit të kampionatit që do të luajë skuadra jonë.”
Alaba largohet nga Real Madrid pas 131 ndeshjeve zyrtare dhe 11 trofeve të fituar, duke mbyllur një kapitull të rëndësishëm me fanellën e bardhë.











