Álvaro Arbeloa ka konfirmuar se nuk do të vazhdojë në stolin e Real Madrid pas përfundimit të sezonit.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes së fundit ndaj Athletic Bilbao në Bernabéu, trajneri spanjoll pranoi se aventura e tij aktuale te madrilenët po mbyllet, por la të hapur mundësinë për një rikthim në të ardhmen.
“Shpresoj të jetë një shihemi më vonë. Gjithmonë e kam konsideruar Madridin shtëpinë time. Kam qenë 20 vite pjesë e Real Madrid. Nuk e di nëse kjo do të jetë ndeshja ime e fundit në jetë si trajner i Real Madrid, por do të përpiqem ta shijoj”, u shpreh Arbeloa.
Ai foli edhe për të ardhmen e tij, duke theksuar se nuk ka mundësi të jetë pjesë e stafit të José Mourinho, nëse portugezi merr drejtimin e skuadrës.
“Mourinho ka një staf fantastik. Nëse vjen, do të vijë me njerëzit e tij, siç është normale. Nuk ka mundësi që unë t’i bashkohem stafit të tij”, tha Arbeloa.
Trajneri spanjoll pranoi se këta muaj kanë qenë të vështirë, por theksoi se gjithmonë ka menduar për të mirën e klubit.
“Në këto katër muaj kam menduar më shumë për Real Madrid sesa për veten. Nuk ka vend për pendesa”, shtoi ai.
Arbeloa foli me shumë respekt edhe për Dani Carvajal, duke e cilësuar si simbol të asaj që duhet të jetë një lojtar i Real Madrid. Ai konfirmoi se Carvajal do të jetë titullar ndaj Athletic Bilbao dhe pritet të marrë një nderim nga tifozët në Bernabéu.
Sa i përket Vinicius, Arbeloa bëri të ditur se lojtari ka marrë leje nga klubi për një çështje personale dhe mbetet e paqartë nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjen.











