Një punonjës policie është plagosur me armë zjarri në orët e para të mëngjesit në zonën e Shkozës, në Tiranë.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:10, ku në rrethana ende të paqarta është plagosur shtetasi A.K., rreth 30 vjeç, efektiv policie jashtë shërbimit.
I riu është transportuar menjëherë në spital, ndërsa bëhet me dije se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas njoftimit për ngjarjen, shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë nisur kontrolle intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Në vendngjarje ndodhen grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), të cilët, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.











