Eduardo Camavinga ka reaguar pas vendimit të Didier Deschamps për ta lënë jashtë listës së Francës për Botërorin.
Mesfushori i Real Madrid pranoi se vendimi e ka zhgënjyer, sidomos për shkak të rëndësisë që ka për të fanella e kombëtares franceze. Megjithatë, ai bëri të qartë se do ta mbështesë skuadrën nga shtëpia dhe se nuk do të dorëzohet.
“Ky nuk është lajmi që shpresoja, por ky është futbolli. Sigurisht që dhemb, sidomos kur e di se sa shumë do të thotë për mua të vesh këtë fanellë. Do ta mbështes dhe do ta ndjek skuadrën nga shtëpia në çdo hap.
U uroj vëllezërve të mi gjithë të mirat në Botëror. Bëjeni krenar vendin dhe silleni trofeun në shtëpi. Unë do të vazhdoj të punoj, të luftoj dhe do të kthehem më i fortë”, shkroi Camavinga.
Ky është një moment i vështirë për 23-vjeçarin, i cili ka kaluar një sezon me ulje-ngritje te Real Madrid. Në fillim të sezonit, ai pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës që e mbajti jashtë për gati dy muaj.
Gjatë këtij sezoni, Camavinga ka zhvilluar 41 ndeshje me Real Madrid, duke shënuar 2 gola dhe duke dhënë 1 asistim.









