Arne Slot ka konfirmuar se Mohamed Salah nuk është stërvitur ende me skuadrën e Liverpool, pak ditë para përballjes së rëndësishme ndaj Chelsea në Premier League.
Sulmuesi egjiptian vazhdon rikuperimin nga dëmtimi që pësoi në ndeshjen kundër Crystal Palace. Për shkak të këtij problemi fizik, Salah mungoi edhe në udhëtimin e fundjavës së kaluar në “Old Trafford”, ku Liverpool u përball me Manchester United.
Duke folur në konferencën për shtyp para ndeshjes, trajneri Arne Slot dha një përditësim për gjendjen e lojtarit, duke pranuar se Salah është pranë rikthimit, por ende nuk është gati për t’u bashkuar me grupin në stërvitje të plotë.
“Mo nuk është stërvitur ende me ne, por është afër rikthimit në stërvitje me skuadrën”, u shpreh Slot.
Mungesa e Salah vjen në një moment delikat për Liverpool, që përgatitet për një sfidë të fortë ndaj Chelsea. Gjendja e tij do të ndiqet me kujdes në ditët në vijim, për të parë nëse mund të jetë i gatshëm për ndeshjet e ardhshme.










