Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, theksoi rëndësinë strategjike të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe rolin kyç të bashkëpunimit ushtarak në forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes së vendit.
Në fjalën e mbajtur me rastin e 25-vjetorit të bashkëpunimit mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe Gardës Kombëtare të New Jersey-it, Begaj vlerësoi këtë partneritet si një nga historitë më të suksesshme të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Sipas tij, ky bashkëpunim ka ndikuar drejtpërdrejt në transformimin dhe modernizimin e ushtrisë shqiptare.
Begaj theksoi se marrëdhënia me SHBA mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Shqipërisë, duke nënvizuar se ajo ka qenë vendimtare në momente kyçe si anëtarësimi në NATO dhe forcimi i kapaciteteve mbrojtëse.
“Për Shqipërinë, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një nga gurët themelorë të politikës sonë të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes”, u shpreh ai.
Presidenti vuri në dukje se përmes trajnimeve, stërvitjeve të përbashkëta dhe mbështetjes teknike, bashkëpunimi me Gardën e New Jersey-it ka afruar Forcat e Armatosura shqiptare me standardet e NATO-s, duke i bërë ato më profesionale dhe më të ndërveprueshme.
Në fjalën e tij, Begaj u ndal edhe te sfidat aktuale të sigurisë, duke theksuar se kërcënimet që nga agresioni rus në Ukrainë, te siguria kibernetike dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor kërkojnë përgjigje të përbashkëta nga aleatët.
Ai ritheksoi pozicionimin e qartë të Shqipërisë në krah të SHBA-së dhe aleancës euroatlantike, duke deklaruar se vendi mbetet i përkushtuar ndaj NATO-s dhe vlerave demokratike.
Një pjesë e rëndësishme e fjalës iu kushtua Kosovës, për të cilën Begaj theksoi se mbështetja e Shqipërisë është e përhershme dhe strategjike për stabilitetin e rajonit.
“Kosova përbën një interes madhor për Shqipërinë… mbështetja për Kosovën është e përjetshme”, u shpreh Presidenti, duke shtuar se anëtarësimi i saj në NATO dhe institucionet ndërkombëtare është i merituar.
Begaj vlerësoi gjithashtu rolin e NATO-s dhe të pranisë amerikane në rajon, duke e cilësuar atë thelbësore për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Në përmbyllje, Presidenti theksoi se partneriteti me SHBA nuk është vetëm institucional, por edhe njerëzor, i ndërtuar mbi besim, bashkëpunim dhe vlera të përbashkëta si liria dhe demokracia.
Ai e cilësoi këtë përvjetor si një moment jo vetëm për të reflektuar mbi arritjet, por edhe për të forcuar më tej bashkëpunimin në të ardhmen, me fokus në siguri, mbrojtje dhe zhvillim strategjik.
FJALA E PLOTË
Në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ka shumë momente që mund të përshkruhen me protokoll, me data dhe me dokumente zyrtare, por ka edhe momente që shpjegohen më thjesht: me një shtrëngim dore, me besim të ndërsjellë, me shërbim krah për krah dhe me miqësi që i ka rezistuar kohës. Ky është një prej atyre momenteve.
Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të kujtuar 25 vjet bashkëpunim me Gardën Kombëtare të New Jersey-it. Jemi mbledhur për të nderuar një partneritet, një partneritet që ka prodhuar besim, profesionalizëm, siguri, dhe, mbi të gjitha, lidhje njerëzore, lidhje njerëzore midis ushtarakëve, midis institucioneve dhe midis dy popujve tanë.
Në një ceremoni si kjo, ku janë bashkë ushtarakë, diplomatë, përfaqësues institucionesh dhe media, si dhe të rinj, fjala “partneritet” nuk tingëllon si term formal. Ajo merr kuptim konkret. Sepse ky partneritet është ndërtuar në terren, është ndërtuar në stërvitje, në misione, në sfida të përbashkëta dhe në momente kur aleatët e vërtetë njihen jo nga fjalët, por nga prania, nga veprimi.
Partneriteti me Gardën Kombëtare të New Jersey-it, i nisur në vitin 2001 në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror, përbën një nga historitë më të suksesshme të bashkëpunimit ushtarak dhe strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për 25 vite, ky bashkëpunim ka ndihmuar drejtpërdrejt në transformimin, modernizimin dhe forcimin e Forcave tona të Armatosura.
Për Shqipërinë, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një nga gurët themelorë të politikës sonë të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.
Ai ka qenë vendimtar në momentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare moderne: në konsolidimin e institucioneve demokratike, në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, në forcimin e kapaciteteve tona mbrojtëse dhe në orientimin e pakthyeshëm Euroatlantik të vendit.
Në këtë kuadër, partneriteti me Gardën Kombëtare të New Jersey-it zë një vend të veçantë. Ky partneritet nuk ka qenë thjesht një bashkëpunim teknik midis dy strukturave ushtarake. Ka qenë një marrëdhënie besimi, profesionalizmi dhe solidariteti.
Përmes trajnimeve, edukimit ushtarak, mbështetjes teknike, stërvitjeve të përbashkëta dhe angazhimeve operacionale, ky partneritet ka ndihmuar që Forcat tona të Armatosura të afrohen gjithnjë e më shumë me standardet më të mira të NATO-s.
Sot, Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë më profesionale, më të ndërveprueshme dhe më të përgatitura për të përmbushur detyrimet e tyre kombëtare dhe aleate.
Ky është rezultat i përkushtimit të ushtarakëve tanë, i vizionit të institucioneve tona dhe i mbështetjes së vazhdueshme të partnerëve tanë amerikanë.
Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ushtarakët shqiptarë dhe amerikanë, për ata burra dhe gra në uniformë, shqiptarë dhe amerikanë, që kanë shërbyer së bashku në misione ndërkombëtare, në Afganistan, Irak, Kosovë dhe në angazhime të tjera në shërbim të paqes dhe sigurisë. Përvoja të tilla nuk krijojnë vetëm aftësi ushtarake. Ato krijojnë besim, krijojnë respekt, krijojnë miqësi dhe krijojnë kujtesë të përbashkët.
Stërvitjet e përbashkëta, përfshirë serinë “Defender Europe”, kanë dëshmuar nivelin e lartë të bashkëpunimit tonë dhe aftësinë për të vepruar si aleatë të vërtetë. Ato kanë treguar se Shqipëria nuk është vetëm përfituese e sigurisë kolektive, është aleat i besueshëm, por edhe kontribuuese aktive në të. Vendi ynë e ka marrë seriozisht rolin e tij në NATO dhe është i vendosur të vijojë të investojë në mbrojtje, në infrastrukturë strategjike, në kapacitete mbrojtëse moderne dhe në gatishmëri operacionale.
Në këtë kohë krizash dhe pasigurish, siguria është më parësore se kurrë. Për Shqipërinë, NATO duhet të mbetet e fortë, aktive dhe e bashkuar, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partneri ynë strategjik. Sfidat që kemi përballë: nga agresioni rus në Ukrainë, te kërcënimet hibride, nga siguria kibernetike, te stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, nuk janë sfida të një vendi të vetëm. Ato janë sfida të përbashkëta dhe kërkojnë përgjigje të unifikuara.
Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj strategjike. Ajo qëndron me Shtetet e Bashkuara, me NATO-n dhe me botën demokratike. Dhe nëse dikush kërkon të gjejë një vend pro-amerikan në rajonin tonë, do ta gjejë gjithmonë në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë. Ne ishim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në koalicionin antiterror, jemi edhe sot me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në nismën e Samitit për Paqen.
Kosova përbën një interes madhor për Shqipërinë dhe për stabilitetin e të gjithë rajonit. Mbështetja për Kosovën është e përjetshme. Kosova e ka vendin në NATO dhe anëtarësimi i saj në institucionet ndërkombëtare është i merituar. Ne vlerësojmë rolin e NATO-s, të KFOR-it dhe veçanërisht udhëheqjen amerikane në garantimin e një mjedisi të sigurt, të lirisë së lëvizjes dhe të paqes në Kosovë. Për Shqipërinë, prania amerikane në rajon nuk është vetëm e rëndësishme. Ajo është strategjike. Ajo është e domosdoshme për të ardhmen Euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.
Por partneriteti me Gardën Kombëtare të New Jersey-it ka ende shumë potencial për t’u zgjeruar. Arsimi ushtarak, stërvitjet e përbashkëta, mbrojtja kibernetike, modernizimi i kapaciteteve tokësore, ajrore dhe detare, si dhe zhvillimi i infrastrukturës strategjike janë hapësira ku bashkëpunimi ynë mund dhe duhet të marrë dimensione të reja.
Shqipëria ka shumë për të ofruar dhe shumë për të ndërtuar së bashku me partnerët e saj amerikanë. Infrastruktura strategjike, kapacitetet mbrojtëse, Baza Ajrore Taktike e Kuçovës, porti i Porto Romanos, projektet në fushën e transportit dhe korridoret rajonale të lidhjes janë pjesë e një vizioni më të gjerë: një vizioni të një Shqipërie më të fortë, më të sigurt dhe më të dobishme për Aleancën.
Por, mbi të gjitha, ky partneritet mbetet i fortë sepse ka në themel njerëzit. Ka në themel ushtarakët që mësojnë nga njëri-tjetri, drejtuesit ushtarakë që planifikojnë së bashku, familjet e tyre që mbështesin ata që shërbejnë, shtetet dhe shoqëritë tona që besojnë në të njëjtat parime: në liri, demokraci, dinjitet njerëzor dhe përgjegjësi ndaj paqes.
Tek e fundit, partneriteti me Gardën Kombëtare të New Jersey-it është një nga mënyrat më konkrete se si miqësia shqiptaro-amerikane është kthyer në kapacitet, në siguri, profesionalizëm dhe besim të ndërsjellë.
Në emër të Republikës së Shqipërisë, dëshiroj të shpreh mirënjohjen më të thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për shtetin e New Jersey-it, për Gardën Kombëtare të New Jersey-it dhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë histori suksesi!
Le të jetë ky 25-vjetor jo vetëm një kremtim i së shkuarës, por edhe një zotim për të ardhmen.
Një zotim për më shumë bashkëpunim.
Një zotim për më shumë siguri.
Një zotim për një Aleancë edhe më të fortë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të
Amerikës.
Gjenerale Mays,
Faleminderit shumë që jeni sot këtu!
Ne shqiptarët kemi një thënie: “Shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit”. Ju jeni në shtëpinë tuaj këtu.
Ambasadore, faleminderit për gjithçka që keni bërë!
Një përshëndetje të veçantë për të rinjtë që na janë bashkuar sot.
Ata janë e ardhmja që do të forcojë miqësinë shqiptaro-amerikane.
Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane!
Faleminderit!











