140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë përfituar mbi 7 milionë euro në vitin 2025. Nga të dhënat e publikuara nga Kuvendi, deputetët morën paga prej më shumë se 453 milionë lekësh, ose rreth 4.6 milionë euro.
Ndërsa katër muajt e fundit të vitit – shtatori, tetori, nëntori dhe dhjetori – rezultojnë si muajt me shpenzimet më të larta për pagat e “përfaqësuesve të popullit”.
Bëhet me dije se 54% e buxhetit të Kuvendit ka shkuar për paga, ndërsa pjesa tjetër për shpërblime dhe rimbursime.
Sipas A2CNN, 24% e buxhetit të Parlamentit ka shkuar për të mbuluar udhëtimet e deputetëve jashtë vendit. Ndërsa pjesa tjetër e buxhetit është përdorur për shpërblime për pjesëmarrje në komisione, si dhe për telefoninë, qiratë dhe hotelet.
Kujtojmë se në maj 2025, Parlamenti i Shqipërisë votoi për rritjen e pagave për deputetët, ministrat, presidentin, kryeministrin dhe punonjësit e administratës publike. Sipas ligjit të miratuar, paga e deputetëve u dyfishua nga 156,770 lekë në 310,250 lekë (2,820 euro), ndërsa ajo e ministrave nga 174,760 lekë në 318,750 lekë bruto (2,897 euro).
Paga e Kryeministrit dhe e Kryetarit të Parlamentit u rrit në thuajse 400,000 lekë (3,636 euro), nga 228,000 lekë. Paga e Presidentit shkoi në 425 mijë lekë (3,863 euro), nga 257 mijë lekë.
Paga më e lartë në piramidën e shtetit shqiptar aktualisht është ajo e Presidentit të Republikës, e cila arrin në 425 mijë lekë. Megjithatë, të ardhurat mujore të deputetëve tejkalojnë ato të Presidentit, për shkak të dietave të larta, pagesave për karburant, telefon dhe pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve parlamentare.
Të ardhurat mujore të deputetëve, vetëm nga statusi i deputetit, mund të arrijnë deri në 500 mijë lekë të reja në muaj.











