Bruno Fernandes ka marrë elozhe të mëdha pas paraqitjes vendimtare në fitoren 1-0 të Manchester United ndaj Chelsea, me kapitenin portugez që po cilësohet tashmë si mesfushori qendror më i mirë në Premier League.
Ylli i United dha asistin vendimtar për golin e Matheus Cunha, duke e afruar skuadrën edhe më shumë me një vend në Champions League.
Ish-mesfushori i Bayern Munich dhe Manchester United, Owen Hargreaves, beson se Fernandes e ka kaluar tashmë Kevin De Bruyne si forca më krijuese në futbollin anglez.
“Bruno Fernandes do të jetë në garë për lojtarin e vitit këtë sezon, sepse ai krijon vazhdimisht momente të mëdha. Ai ishte arkitekti i fitores sot, lojtari më i mirë në fushë me diferencë dhe, me golin e Cunha, duket se Champions League po rikthehet te Manchester United. Ai është mesfushori qendror më i mirë në Premier League. Kevin De Bruyne ishte më i miri për një kohë, por tani është Bruno. Në këtë moment, mendoj se ai është lojtari më i mirë në Premier League”, deklaroi Hargreaves për TNT Sports.
Statistikat e mbështesin fuqishëm këtë vlerësim. Me asistin ndaj Chelsea, Fernandes arriti në 18 asistime në Premier League këtë sezon, duke iu afruar rekordit historik prej 20 asistimesh që mbahet nga Thierry Henry dhe Kevin De Bruyne. Me edhe pesë ndeshje për t’u luajtur, rekordi duket seriozisht i rrezikuar.
Vetë portugezi theksoi se synimi i tij është të përmirësohet vazhdimisht, jo vetëm në gola apo asistime, por në çdo aspekt të lojës.
“E them gjithmonë që dua të bëj më mirë se sezonin e kaluar. Dua të përmirësoj lojën time në tërësi. Jo vetëm asistet apo golat, por gjithçka. Dua të bëhem një lojtar më i mirë dhe ta mbyll karrierën sa më mirë të jetë e mundur”, u shpreh Fernandes.
Edhe trajneri Michael Carrick e vlerësoi maksimalisht kapitenin e tij, por gjithashtu theksoi forcën mendore dhe shpirtin luftarak të skuadrës në një ndeshje ku Chelsea ushtroi shumë presion.
Fitorja e fundit e ka afruar Manchester United edhe më shumë me objektivin për të siguruar një vend në Champions League, ndërsa Bruno Fernandes vazhdon të jetë figura kryesore e skuadrës në momentin më vendimtar të sezonit.










