Një zjarr i madh ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit në një parkim të kompanisë së automjeteve elektrike BYD në Shenzhen, në provincën Guangdong të Kinës.
Sipas mediave ndërkombëtare, zona e prekur ndodhet në kompleksin e prodhimit në Pingšan dhe përdoret kryesisht për testim dhe ruajtje automjetesh që janë drejt asgjësimit, jo për prodhim apo shpërndarje aktive. Autoritetet bënë të ditur se nuk ka raportime për të lënduar apo viktima.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë shtëllunga të mëdha tymi të zi që ngrihen në ajër, ndërsa flakët përfshijnë një pjesë të objektit shumëkatësh dhe forca të shumta zjarrfikëse ndërhyjnë për shuarjen e zjarrit.
Sipas autoriteteve, zjarri është vënë nën kontroll disa orë më vonë, ndërsa ende nuk dihen shkaqet e shpërthimit. Hetimet po vijojnë dhe nuk raportohet për dëme në linjat kryesore të prodhimit apo ndërprerje të aktivitetit të fabrikës.











