Carmen Jiménez, një grua 57-vjeçare nga Madridi, dyshohet se ka kaluar plot 28 vite duke u shtirur si e verbër, pasi u kishte thënë familjarëve dhe miqve se kishte humbur shikimin për shkak të një dëmtimi në sy.
Për gati tre dekada, të gjithë rreth saj besonin se ajo nuk shihte dhe e trajtonin si të ishte vërtet e verbër.
Më vonë, Carmen pranoi se nuk kishte qenë kurrë e verbër dhe se e kishte përdorur këtë “maskë” për të shmangur ndërveprimet sociale si përshëndetjet apo bisedat e zakonshme.
Ajo u shpreh se “nuk ka qenë kurrë shumë sociale” dhe donte t’i shmangte bisedat e përditshme që i dukeshin të sikletshme.
Familja e saj mbeti e shokuar kur e vërteta doli në dritë, duke kujtuar raste kur ajo dukej sikur shikonte televizor apo vendoste makijazh në mënyrë perfekte. Tani, pasi ka përfituar ndihma si person me aftësi të kufizuara duke u shtirur, raportohet se ajo mund të përballet me pasoja ligjore për këtë mashtrim.











