Marc Casadó po e mendon seriozisht të ardhmen e tij te Barcelona. Mesfushori i ka kërkuar agjentit të tij të dëgjojë ofertat përpara hapjes së merkatos së verës, pasi nuk ka pasur vazhdimësinë që dëshiron këtë sezon. Deco dhe drejtuesit sportivë të klubit janë në dijeni të situatës dhe e konsiderojnë si një çështje të hapur për verën, me mundësinë reale që lojtari të largohet, qoftë në formë huazimi apo përfundimisht.
Edhe pse Casadó ka theksuar gjithmonë se ëndrra e tij është të ketë sukses te klubi ku është rritur, realiteti sportiv e ka shtyrë të mendojë për një largim të mundshëm. Ai nuk ka arritur të sigurojë një vend të qëndrueshëm në formacion, edhe në momente kur rrethanat dukeshin të favorshme për shkak të mungesave dhe dëmtimeve në repartin e tij. Deri tani, ai ka qenë titullar vetëm në 14 nga 47 ndeshjet e Barcelonës këtë sezon.
Situata e tij është vështirësuar edhe më shumë në javët e fundit. Rikthimi i Marc Bernal i ka ngushtuar akoma më tepër hapësirat, aq sa në ndeshjen e fundit stafi teknik zgjodhi të aktivizojë nga fillimi Eric Garcia, me Bernal dhe Gavi përpara Casadó në rolin e dyfishtë të mesfushës. Një vendim që tregon qartë se roli i tij në skuadër është zvogëluar, pikërisht në një moment vendimtar të sezonit.
Edhe shifrat e konfirmojnë këtë rënie. Casadó ka luajtur 1,275 minuta në të gjitha kompeticionet, me 19 paraqitje në kampionat, por vetëm 9 si titullar. Për më tepër, ai ka nisur nga minuta e parë vetëm 3 nga 15 ndeshjet e fundit. Në Champions League ka qenë titullar në dy takime, në Kupën e Mbretit ishte zgjedhje e rregullt deri në momentin kur Flick e zëvendësoi që në pjesën e parë në Metropolitano, ndërsa në Superkupë nuk luajti as edhe një minutë.
Në krahasim me të tjerët, Casadó ka më shumë minuta vetëm se disa lojtarë që kanë pasur situata të veçanta, si Bernal që sapo është kthyer nga dëmtimi, Cancelo që u afrua në merkaton e dimrit, apo futbollistë si Roony, Christensen dhe Gavi, të cilët janë prekur nga dëmtime afatgjata.











