Felix Magath ka dhënë një vlerësim të madh për Manuel Neuerin në prag të 40-vjetorit të portierit të Bayern Munichut, duke thënë se legjenda gjermane ka ende nivelin për të vazhduar në elitë edhe për disa vite të tjera.
Në një intervistë për BILD, trajneri veteran, i cili e drejtoi Neuerin te Schalke nga viti 2009 deri në 2011, u shpreh bindur se portieri gjerman mund të vazhdojë ende gjatë në nivelet më të larta.
“Te skuadra ime, Manuel do të ishte në portë edhe për tre vjet të tjera”, deklaroi Magath.
Sipas tij, edhe pse me kalimin e viteve Neuer mund të ketë humbur pak nga shpejtësia dhe aftësia kërcyese, ai vazhdon të jetë një portier i nivelit të lartë falë cilësive të tij unike.
Magath theksoi se pika më e fortë e Neuerit mbetet mënyra si e lexon lojën dhe si e nis aksionin nga prapa, cilësi që sipas tij nuk zbehet me moshën.
“Ai di të luajë me topin si askush tjetër në atë rol. Nuk është vetëm çështje teknike, por edhe mënyre se si e kupton lojën. Edhe para se ta kapë topin, ai e di saktësisht ku duhet ta dërgojë për të nisur një kundërsulm”, tha ish-trajneri gjerman.
Magath shtoi gjithashtu se profesionalizmi i Neuerit ka qenë gjithmonë në nivel të jashtëzakonshëm dhe pikërisht kjo e ka lejuar të qëndrojë në majat e futbollit botëror edhe në këtë moshë.
“Ai ishte gjithmonë një profesionist i vërtetë. Edhe te Schalke, gjatë vrapimeve të rezistencës, ishte shpesh në krye. Kjo është e pazakontë për një portier dhe tregon se sa shumë e do futbollin dhe sa shumë punon për të nxjerrë maksimumin nga vetja”, u shpreh Magath.
Trajneri veteran shkoi edhe më tej, duke e vendosur Neuerin në të njëjtin nivel me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon, por në rolin e tij si portier.
“Për paraqitjet, rëndësinë te Bayerni dhe kombëtarja, si dhe për arritjet e tij, unë e shoh Neuerin në të njëjtin nivel me Messin dhe Cristiano Ronaldon në pozicionet e tyre”, deklaroi ai.
Magath foli edhe për transferimin e Neuerit nga Schalke te Bayern Munich në vitin 2011, për të cilin bavarezët paguan rreth 30 milionë euro. Sipas tij, ajo shumë sot duket si një “dhuratë”.
“Duke e parë pas, ai çmim nuk ishte thjesht i leverdishëm, por ishte një dhuratë. Bayerni mori një portier të klasit botëror për 15 vjet. Në tregun e sotëm, Neuer në formën e tij më të mirë do të vlente rreth 150 milionë euro”, tha Magath.
Në fund, ai i uroi Neuerit gjithë të mirat për 40-vjetorin dhe theksoi se vendimi për të ardhmen duhet të jetë plotësisht në dorën e vet portierit.
“Mendoj se ai duhet të vendosë vetë nëse dëshiron të vazhdojë te Bayerni apo jo. Duhet t’i përgjigjet vetes nëse trupi i tij është ende gati dhe nëse motivimi është ende aty. Nga jashtë, unë do të thoja se ai i ka ende të gjitha aftësitë për të vazhduar. Dhe këshilla ime është ta shfrytëzojë këtë sa më gjatë që të jetë e mundur”, përfundoi Magath.











