Ilir Budlla, një specialist trafiku me karrierë 33 vjeçare në Policinë e Shtetit, ka ndërruar jetë në krye të detyrës ditën e djeshme. Ai ka qenë duke punuar me shërbimet e Qarkullimit Rrugor në kryeqytet, kur nuk është ndjerë mirë dhe ka pësuar arrest kardiak.
Fatkeqësisht, ai ka ndërruar jetë duke mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 58 vjeçare. Më shumë se tre dekada jetë, Ilir Budlla i kaloi me uniformë duke ju shërbyer qytetarëve dhe organizatës së Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit i shpreh ngushëllimet familjes së oficerit Ilir Budlla, për ndarjen e parakohshme nga jeta si pasojë e një arresti kardiak gjatë ushtrimit të detyrës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, së bashku me Drejtorët e Departamenteve, Neritan Nallbati dhe Dhimitraq Ziu, i shprehën ngushëllimet familjes, vendosën kurora dhe i dorëzuan familjarëve Certifikatën e Karrierës për kolegun Ilir Budlla.
Kryepolici Bizhga shprehu mbështetjen e plotë të institucionit në këtë moment të vështirë për familjen, pasi humbja e tij është një dhimbje e madhe për ta, kolegët dhe për të gjithë Policinë e Shtetit.
Me një karrierë mbi 33-vjeçare në radhët e Policisë së Shtetit, Ilir Budlla do të kujtohet si një punonjës i përkushtuar, korrekt dhe me integritet të lartë profesional, i cili i shërbeu me devotshmëri qytetarëve dhe ligjit.











