Në raportin për situatën në Lindjen e Mesme përpara Komisionit të Punëve të Jashtme, ministri i Jashtëm Ferit Hoxha tha se prej fillmit të krizës, është ngritur një Shtab i posaçëm që ka punuar pandërprerë, 24 orë në kontakt me përfaqësitë diplomatike në vendet e prekura dhe ato përreth.
“Si shume vende të tjera, në Evropë e përtej, Shqipëria është e prekur në aspektin politik e humanitar nga zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe nga përshkallëzimi i situatës së sigurisë në rajon. Kjo edhe për faktin se në vendet e prekura nga kriza jetojnë e punojnë qytetarë shqiptarë, siguria e të cilëve mbetet prioritet madhor i Qeverisë Shqiptare dhe Shërbimit të Jashtëm në veçanti. Për këtë qëllim, që me fillimin e krizës, në Ministri është ngritur dhe ka funksionuar një shtab i posaçëm, i cili në bashkëpunim me ekipin drejtues dhe në koordinim të ngushtë e të pandërprerë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, ka ndjekur e vazhdon të ndjekë, në mënyrë të pandërprerë, në 24 orë, dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë si dhe me autoritetet në vendet përkatese”, tha ministri.
Ministri tregoi se 17 shtetas janë evakuuar dhe se vështirësia më e madhe ka qenë për t’i ardhur në ndihmë shqiptarëve që ndodhen në Iran për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
“Në fillim të konfliktit ne kemi pasur 2962 shqiptarë në rajon. Këta janë me qëndrim të përhershëm. 543 me qëndrim të përkohshëm. të kontaktuar 2511. Të interesuar për tu larguar 138. 17 shtetas janë evakuuar në bashkëpunim me partnerët. Vështirësia më e madhe ka qenë në Iran që ka pasur shqiptarë, por nuk jemi të pranishëm atje, por na është dashur të gjejmë modalitet”, tha ndër të tjera ministri.
Hoxha nënvizoi se Shqipëria s’ka mbyllur asnjë ambasadë në vendet e prekura.
“Pavarësisht nga përshkallëzimi i situatës, pavarësisht përkeqësimit të situatës së sigurisë, ndryshe nga shumë vende të tjera, Shqipëria nuk ka mbyllur asnjë prej përfaqësive diplomatike, duke vënë në plan të parë nevojën për të ndjekur zhvillimet dhe për të asistuar shtetasit tanë atje. Jo se nuk ka patur respekt për stafet diplomatike, por sepse ka qenë e domosdoshme të kemi njerëzit tanë atje në terren, për të komunikuar e asistuar qytetarët tanë atje.”, u shpreh ai.
Ministri tha se janë regjistruar dhe kategorizuar të gjithë ata që kanë kërkuar ndihmë.
“Kemi bërë regjistrimin e gjithkujt që ka aplikuar për ndihmë. Ia kemi dalë në masë shumë të madhe. Kemi komunikuar në forma nga më të ndryshmet, me WhatsApp, i kemi ndarë me kategori për të pasur një pasqyrë të qartë kush është kush dhe nëse do të na duhej të merrnim masa të veçanta. Përfaqësitë tona kanë kontaktuar në mënyrë aktive qytetarët shqiptarë të regjistruar në zonat e prekura, kanë organizuar procesin e regjistrimit vullnetar, kanë ofruar në menyrë të vazhduar udhëzime për largimin nga zonat e rrezikut dhe duke koordinuar me autoritetet vendase dhe partnerët ndërkombëtarë për mundësi evakuimi. Përmes këtij koordinimi janë asistuar dhe udhëzuar qindra shtetas shqiptarë për t’u larguar nga zona e konfliktit, ndërsa një pjesë e tyre janë larguar individualisht ose përmes kanaleve të sigurta të transportit”, tha Hoxha.











