Edhe pse Lionel Messi është larguar prej kohësh nga Barcelona, emri i tij vazhdon të jetë pjesë e diskutimeve rreth klubit katalanas. Së fundmi, presidenti Joan Laporta ka zbuluar disa plane për të nderuar legjendën argjentinase.
Laporta bëri të ditur se Barcelona synon të ndërtojë një statujë për Messin pranë stadiumit dhe të organizojë një ndeshje speciale lamtumire pasi të përfundojnë punimet në “Camp Nou”.
“Tema rreth Lionel Messit është se ne duam të ndërtojmë një statujë për të dhe të organizojmë një ndeshje përkujtimore sapo stadiumi të jetë përfunduar,” deklaroi presidenti i Barcelonës.
Ndërkohë, ish-trajneri i katalanasve, Xavi Hernandez, ka deklaruar gjithashtu se Messi nuk pritet të rikthehet te Barcelona. Sipas tij, kjo nuk lidhet me rregullat e La Liga-s, por me vendimin e vetë presidentit Joan Laporta.
Messi konsiderohet një nga figurat më të mëdha në historinë e klubit, pasi gjatë viteve me Barcelonën fitoi dhjetëra trofe dhe u bë simbol i suksesit të skuadrës katalanase.











