Atalanta fitoi 0–2 në transfertë ndaj Lazios dhe u rikthye fuqishëm në garën për Europën. Golin e parë e shënoi Ederson nga penalltia në fund të pjesës së parë, ndërsa Zalewski vulosi fitoren në pjesën e dytë me një goditje të bukur.
Ndeshja ishte e ekuilibruar për rreth gjysmë ore, por penalltia ndryshoi rrjedhën: Lazio u përpoq të reagonte pas pushimit, por u ndal disa herë nga portieri Carnesecchi, ndërsa Atalanta menaxhoi lojën me disiplinë dhe kundërsulme të organizuara.
Me këtë sukses, “La Dea” ngjitet përkohësisht në vendin e 6-të, duke kaluar Como dhe duke u afruar me zonën Champions, vetëm 4 pikë pas Juventusit dhe Romës. Lazio, pas një serie rezultatesh pozitive, pëson një frenim në momentin më vendimtar të sezonit.









