Mes dhimbjes që ka plakosur dhe lotëve, banorët e fshatit Gryksh i Madh në Peqin do i japin lamtumirën e fundit 4 anëtarëve të familjes Kola, të cilët humbën jetën tragjikisht në Itali, ku u helmuan nga monoksidi i karbonit në banesën e tyre.
Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida Kola, 43 vjeç, si dhe dy fëmijët e tyre, Hajdar Kola dhe Xhesika Kola, 22 dhe 15 vjeç, do të prehen në tokën ku nisën jetën e tyre, në Gryksh të Madh, aty ku lanë kujtime, familjarë e miq përpara se të emigronin drejt Italisë për një jetë më të mirë.
Banorë të fshatit, janë shprehur të tronditur nga ngjarja e rëndë.
“Ishin familje shumë e mirë. Jemi shumë të tronditur”, tha një banore.
“Punët e zotit, por mos i rëntë askujt”, u shpreh një tjetër.
“Po dridhemi. Jemi tronditur të gjithë si fshat, nuk durojmë dot më”, deklaroi një tjetër banore për mediat.
Ngjarja tronditi jo vetëm komunitetin shqiptar në Itali, por edhe mbarë opinionin publik në Shqipëri. Sipas autoriteteve italiane, dyshohet se shkaku i tragjedisë ishte rrjedhja e monoksidit të karbonit nga një kaldajë e re, e sapo instaluar nga pronari shqiptar i banesës. Prokuroria e Luccas vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në humbjen e jetës së katër anëtarëve të së njëjtës familje.
Në heshtjen e rëndë të varrezave të fshatit, mes lotëve dhe lutjeve, katër arkëmortet do të përcillen me nderime, ndërsa komuniteti do të përqafojë njëri-tjetrin në një dhimbje të përbashkët që kapërcen kufijtë










