Shkolla në fshatin Lazarat, e rinovuar në vitin 2019 me shpresën për të shërbyer si një qendër edukimi për brezat e rinj, sot qëndron e mbyllur dhe e heshtur. Emigrimi masiv i të rinjve ka lënë shkollën pa nxënës, duke e transformuar atë në një ambient bosh. Me kalimin e kohës, godina u përshtat për t’u bërë një qendër grumbullimi për bimët medicinale, e njohur si CAT (Canabis Alternative), një projekt i mbështetur nga qeveritë zvicerane dhe austriake. Kjo iniciativë kishte si qëllim të ofronte një alternativë ekonomike për Lazaratin, duke u përballur me një papunësi të lartë dhe mungesë investimesh.
Megjithatë, përkundër inaugurimit të saj dhe pritshmërive të mëdha, qendra CAT nuk ka funksionuar asnjëherë. Të gjitha investimet dhe pajisjet kanë mbetur të pashfrytëzuara, teksa godina vazhdon të qëndrojë e mbyllur, si shkolla para saj. Banorët e Lazaratit shprehin shqetësim dhe keqardhje për gjendjen e kësaj godine, duke e parë atë si një simbol të shpresave të thyera dhe projekteve që kanë mbetur vetëm në letër.
Ata theksojnë se fshati ka nevojë për punësim të vërtetë dhe mbështetje konkrete, jo vetëm për ceremonia inaugurimi. Lazarati, një zonë që përpiqet të ndihmojë në rindërtimin e një modeli jetese përmes punës dhe investimeve në bimët medicinale, përballet me një tjetër zhgënjim nga mbyllja e kësaj qendre. Emigrimi i vazhdueshëm i të rinjve e rrezikon fshatin që të mbetet pa shkollë dhe qendër punësimi, por veçanërisht pa shpresë për të ardhmen. Nëse projektet e tilla nuk implementohen me seriozitet dhe politikë afatgjatë zhvillimi, Lazarati mund të ballafaqohet me një krizë të thellë sociale dhe ekonomike.









