Nga Besmir Semanaj
Pas rreth një viti bllokimi, TikTok ësht ë rikthyer në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama deklaron se ky vendim nuk përbën dorëzim, por rezultat të një procesi serioz rishikimi dhe të vendosjes së “mekanizmave të rinj të sigurisë”. Megjithatë, as Kryeministria, as Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike (AKSK), as Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) nuk kanë dhënë deri më sot asnjë shpjegim të plotë, teknik dhe të verifikueshëm për publikun.
Kur TikTok u bllokua, arsyetimi ishte ekstrem. U fol për rrezik kombëtar, për kërcënim serioz ndaj fëmijëve, për destabilizim social dhe për nevojën e një ndërhyrjeje urgjente. Vendimi u mor pa vendim gjykate, pa konsultim publik dhe pa publikimin e ndonjë analize zyrtare të rrezikut. Operatorët e internetit u urdhëruan të zbatojnë bllokimin, ndërsa qytetarëve iu kërkua thjesht ta pranonin.
Sot, e njëjta qeveri na thotë se TikTok është sërish i sigurt. Pyetja e parë që lind është e pashmangshme: çfarë ka ndryshuar realisht gjatë këtij viti?
A ka publikuar AKSK një raport teknik që të tregojë se rreziqet e identifikuara më parë janë eliminuar? A ka ndryshuar diçka në arkitekturën teknike të TikTok-ut që justifikon këtë kthesë? A ka një marrëveshje të shkruar mes shtetit shqiptar dhe kompanisë TikTok, dhe nëse po, pse nuk bëhet publike? Deri më sot, përgjigjja për të gjitha këto pyetje është heshtje.
Edhe më problematik është përdorimi i paqartë i termit “mekanizma të rinj të sigurisë”. Ky term është përmendur nga Kryeministri dhe nga përfaqësues të AKSK-së, por nuk është shpjeguar asnjëherë në mënyrë konkrete. Çfarë janë këta mekanizma? A janë teknologjikë apo thjesht administrative? A përfshijnë monitorim të trafikut të internetit? A zbatohen vetëm për TikTok-un apo për të gjitha platformat?
Nëse këta mekanizma prekin infrastrukturën e komunikimeve elektronike, atëherë pse AKEP nuk ka bërë asnjë njoftim publik? AKEP është institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e operatorëve dhe për garantimin e neutralitetit të rrjetit. Deri tani, ky institucion ka zgjedhur të qëndrojë jashtë debatit publik, sikur çështja e bllokimit dhe rihapjes së një platforme globale të mos ishte në fushën e tij të përgjegjësisë.
Në qendër të gjithë kësaj historie qëndron çështja më e rëndë: përdorimi i teknologjisë Deep Packet Inspection (DPI). Gjatë bllokimit të TikTok, u raportua se operatorët shqiptarë, me udhëzim të autoriteteve, përdorën pajisje DPI për të identifikuar dhe bllokuar trafikun. DPI është një teknologji shumë ndërhyrëse, që lejon inspektimin e përmbajtjes së komunikimeve elektronike dhe që, sipas jurisprudencës europiane, cenon drejtpërdrejt privatësinë dhe sekretin e komunikimit.
U premtua publikisht se këto pajisje do të hiqeshin. Sot, pas rihapjes së TikTok, pyetjet janë konkrete dhe kërkojnë përgjigje po aq konkrete:
AKSK: A janë çmontuar pajisjet DPI? A janë ende aktive në rrjetet shqiptare? A ekziston një raport teknik që e konfirmon këtë?
AKEP: A keni verifikuar në mënyrë të pavarur konfigurimet e operatorëve? A garantoni se nuk ka monitorim të përmbajtjes së trafikut?
Operatorët e internetit: A po përdorni aktualisht DPI? Me çfarë baze ligjore? Me çfarë urdhri administrativ?
Asnjë nga këto institucione nuk ka dhënë një përgjigje të qartë dhe të dokumentuar. Në mungesë të transparencës, dyshimi është i arsyeshëm: pajisjet mund të jenë ende aty.
Një tjetër element që ngre pikëpyetje serioze është fakti se nuk pati asnjë proces gjyqësor. Kryeministri deklaron se TikTok “nuk na ka çuar në gjyq”. Por kjo nuk është provë korrektësie shtetërore. Përkundrazi, ngre dyshimin se vendimi për bllokimin ishte aq i dobët ligjërisht, saqë as vetë shteti shqiptar nuk ishte i gatshëm ta mbronte para një gjykate.
Nëse bllokimi ishte i ligjshëm, pse nuk u mbështet me vendim gjykate? Nëse nuk ishte, pse askush nuk mban përgjegjësi?
Kjo histori nxjerr në pah një problem thelbësor: mënyrën se si qeveria shqiptare dhe institucionet vartëse të saj trajtojnë liritë digjitale. Interneti nuk është pronë e qeverisë dhe siguria nuk mund të përdoret si justifikim për masa të paqarta dhe të pakontrolluara.
Rihapja e TikTok nuk është problemi. Problemi është se u bë pa shpjegim, pa llogaridhënie dhe pa garanci se nesër nuk do të bllokohet një platformë tjetër, me të njëjtën lehtësi dhe me të njëjtin mungesë transparence.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për deklarata politike. Kanë nevojë për fakte, dokumente dhe përgjegjësi institucionale. Dhe deri sa AKSK, AKEP dhe operatorët të flasin hapur, e vërteta mbetet ende e bllokuar.











