Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masat e sigurisë për disa zyrtarë të lartë, mes tyre ish-drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, dhe zëvendësen e saj, Hava Delibashi.
Sipas vendimit, Karçanaj do të vijojë të qëndrojë në arrest shtëpiak, ndërsa Delibashi mbetet nën masë sigurie. Po ashtu, zv.drejtori i Policisë së Tiranës do të vazhdojë të jetë i pezulluar nga detyra dhe me ndalim për të dalë jashtë vendit.
Vendimi u mor më 5 shkurt 2026 nga gjyqtari Florjan Kalaja, në kuadër të një çështjeje penale të regjistruar më 27 janar 2026.
Apelimi ishte paraqitur nga disa të pandehur, konkretisht M.K, H.D, E.I, R.Rr, A.P dhe G.H, të cilët kundërshtonin masat e sigurisë të vendosura më herët nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë.
Gjykata e Apelit miratoi vendimet e datave 15 dhe 18 dhjetor 2025, të cilat kishin vlerësuar kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit personal.
Në njoftimin zyrtar thuhet se këto vendime nuk do të publikohen, me qëllim mbrojtjen e hetimeve paraprake, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.











