Kryeministri Edi Rama akuzoi gjyqtarët se i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar rritje pagash edhe për ata që u larguan nga sistemi i drejtësisë pas procesit të vettingut. Sipas tij, bëhet fjalë për gjyqtarë dhe prokurorë që u përjashtuan për shkak të pasurive të pajustifikuara, por që sot, përmes këtij procesi, kërkojnë paga më të larta nga taksapaguesit shqiptarë.
Rama theksoi se me këtë kërkesë po barazohen ata që e kaluan vettingun me ata që, sipas tij, ishin “korruptuesit dhe gjakpirësit e sistemit të drejtësisë”. Ai e cilësoi të papranueshme që një pretendim i tillë t’i adresohet një qeverie që, sipas tij, ka ndërmarrë një reformë historike në drejtësi.
Sipas Ramës, reforma u ka dhënë gjyqtarëve një pavarësi që më parë vetëm ishte ëndërruar, ndërsa sot, shtoi ai, kjo pavarësi duhet ushtruar me dinjitet dhe në funksion të interesit publik.
Rama: Ju keni shkuar në GJK për tju rritur pagën atyre që i hoqi Vettingu sepse nuk ishin të denjë për sistemin e ri të drejtësisë. Ju keni shkuar në GJK për t’i kërkuar taksapaguesve shqiptarë, që të paguajnë paga më të larta se të tjerëve për gjykatës dhe prokurorë që vettingu i hoqi sepse kishin pasuri të pajustifikuara.
Ju keni vajtur në GJK për tu thënë taksapaguesve shqiptarë se edhe ata që ishin korruptuesit dhe gjakpirësit e sistemit të drejtësisë meritonin rritje pagash njësoj si ata që e kaluan vettingun.
Si mund ta fusni këtë në radhën e pretendimeve që keni nga kjo qeveri e poshtër që ka bërë një reformë historike dhe që ka bërë atë që kolegët tuaj nga 2012 derisa u bë kjo reformë e kanë ëndërruar por nuk e kanë prekur dot. I ka dhënë pavarësinë, që ju sot duhet të bëni cdo gjë që ta ushtroni me dinjitet, ta ktheni në të mirë rtë madhe të popullit shqiptar.










