Drejtuesi i SPAK, Klodian Braho u qëndroi gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare më 3 shkurt shkaqeve të ankimit për pasurinë dhe profesionalizmin e prokurorit të Tiranës, Petrit Vukaj, ndërsa u tërhoq nga gjetjet për pastërtinë e figurës. Në përfundim, prokurori Adnan Xholi i cili përfaqëson Brahon në këtë çështje, kërkoi shkarkimin nga detyra të Vukajt për deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë, si dhe për gjetjet profesionale të konsideruara në vlerësimin tërësor.
Prokurori i Tiranës, Petrit Vukaj dhe përfaqësuesja e tij ligjore, avokatja Romina Zano paraqitën argumentet e tyre për shkaqet e mbetura, duke i cilësuar të pamjaftueshme për shkarkim.
Xholi deklaroi të martën se edhe pas shqyrtimit të çështjes në KPA, u qëndronin shkaqeve për një banesë me dy kate në Fier. Sipas tij, subjekti nuk ka shënuar në deklaratën veting vlerën e shpenzuar për ndërtimin e katit të parë, ndërkohë që shpenzimet e deklaruara në vite konsiderohen disa herë më të ulëta se ato sipas referencës së Entit Kombëtar të Banesave apo rivlerësimi i kryer pas përfundimit të punimeve.
Po ashtu, Xholi vërejti se subjekti ka dorëzuar një akt-ekspertim që nuk përkon me vlerat e deklaruara për shpenzimet.
Nga analiza financiare e kryer nga drejtuesi i SPAK konstatohet pamundësi financiare në shumën rreth 1.8 milionë lekë. Sipas Xholit, subjekti gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë.
Po ashtu, drejtuesi i SPAK u qëndroi shkaqeve të ankimit edhe për pamundësinë financiare për blerjen e një automjeti, si burimi krijimi të të cilit janë deklaruar të ardhurat e krijuara nga shitja e makinës së mëparshme, në vlerë më të lartë nga sa ishte blerë. Për këtë arsye, drejtuesi i SPAK kërkon që në analizën për blerjen e automjetit, të mos konsiderohen të ardhurat nga shitja e makinës së mëparshme.
Sipas Xholit, duket se subjekti ka kryer veprim të simuluar dhe në kundërshtim me etikën e prokurorit. Ai kërkoi që lidhur me këtë gjetje të vlerësohet në drejtim të cënimit të besimit të publikut.
Në përfundim, Xholi konstatoi se pamundësia financiare totale e tejkalon pragun e vlerës për zbatimin e parimit të proporcionalitetit.
Avokatja Romina Zano i kundërshtoi shkaqet për pasurinë. Ajo solli në vëmendje se sipas analizës që kanë kryer, pamundësia financiare mbetet në vlerë minimale dhe se nuk mund të sjellë penalizim.
Ajo argumentoi se kanë paraqitur në mënyrë të detajuar historikun e ndërtimit të shtëpisë, ku kati përdhe është realizuar para fillimit të detyrës dhe se punimet kanë filluar bazuar në një leje të vitit 1994.
Zano theksoi se Vukaj e ka deklaruar rregullisht prej vitit 2003 këtë pasuri dhe punimet e shpenzimet e kryera. Sipas avokates, ng apala ankuese refuzohet të pranohen deklarimet e subjektit. Çmimet e referencës së Entit Kombëtar të Banesave, ajo i cilësoi si orinetuese. Zano pretendoi se kur ka të dhëna që vërtetojnë kostot, duhet të marrin ato përparësi dhe jo çmimi referencës.
Po ashtu, Zano theksoi se Komisioneri Publik ka kryer gabim metodologjik në përllogaritjen e aktit të parë. Ajo argumentoi se kati i parë është shtesë mbi katin përdhe dhe nuk ka pasur shpenzime për hapjen dhe ndërtimin e themeleve.
Zano kundërshtoi edhe konstatimin për kohën e punimeve për katin e parë, duke konstatuar se në deklarimet periodike të viteve 2008, 2009 e 2010, subjekti ka treguar vijimin e gjithë investimeve. “Është e qartë se investimi është gradual”, u shpreh ajo.
Sipas avokates Zano, bazuar në aktet e administruar në fashikull, shkaqet për pasurinë nuk qëndrojnë. Duke ju referuar parimit të proporcionalitetit, ajo pretendoi se pamundësia financiare që mbetet nuk mund të sjellë shkarkim.
Për profesionalizmin, Xholi tha se u qëndronin shkaqeve për profesionalizmin lidhur me katër çështje. Sipas tij, mbetet e provuar se në punën e subjektit konstatohen mangësi të njohurive ligjore.
Xholi kërkoi që gjetjet të konsiderohen në vlerësimin tërësor dhe të vendoset shkarkimi nga detyra i prokurorit Vukaj.
Avokatja Zano vërejti se subjekti ka kryer hetime të shumta në këto çështje, si dhe se ka vlerësuar si duhet të dhënat dhe provat që ka siguruar. Sipas saj, vetë kallëzuesit nuk kanë kryer ankime ndaj vendimarrjeve të subjektit, duke i cilësuar të drejta. Për një rast kur gjykata ka mbajtur qëndrim të ndryshëm, Zano tha se kjo rrethanë nuk mund të sjellë penalizim. Ajo pretendoi se shkaqet e mbetura nuk qëndrojnë.
Ndërsa lidhur me shkakun e ngritur në kriterin e figurës, ku pretendohej se subjekti kishte përdorur një automjet të një personi të dënuar jashtë shtetit, Xholi u shpreh se referuar praktikës së KPA, kjo gjetje rezulton e shëruar. Prokurori Vukaj ka theksuar gjatë procesit se nuk ka pasur dijeni për dënimin e pronarit të mjetit dhe as nuk e ka njohur. Ai ka shpjeguar se i kishte kërkuar makinën një mikut të tij, por ngaqë ai nuk e kishte të disponueshme i kishte sygjeruar të merrte mjetin e personit në fjalë.
Kolegji u tërhoq për të marrë vendim, që do të shpallet më datë 5 shkurt, në orën 15:00.









