Deputeti demokrat, Belind Këlliçi ka treguar sot se ekzistojnë orë të tëra filmimesh, dokumentimesh e fotografish, që tregojnë sesi funksionon shteti i qeverisur nga Edi Rama.
I ftuar në A2 CNN, Këlliçi u shpreh se bazuar në këto materiale, rezulton se shumë individë shkonin direkt te zyra e kryeministrit për projekte në jug, leje kullash dhe tendera.
“Kësaj radhe çudia më e madhe nuk do të zgjasë vetëm 3 ditë, kjo do të zgjasë shumë. Sipas informacioneve të mia, ka orë të tëra filmime, dokumentime dhe foto të bëra nga Ergys Agasi, i cili pa dashje i ka bërë një shërbim shumë të madh vendit, publikut, për të kuptuar si funksionon shteti i Edi Ramës.
Agasi nuk ishte njeri i zgjedhur, por thjesht një njeri që kishte OK e Edi Ramës për të bërë atë që bënte. Të gjithë ata që shkonin në zyrën e tij shkonin për të mbaruar punë me Edi Ramën.
Shkonin për leje zhvillimi te Edi Rama, për projekte në jug, për leje kullash, për tendera… dhe për të gjitha këto, OK e jepte në fund Edi Rama. Edi Rama mendon se do fitojë kohë me artifica juridike, kjo histori ka marrë fund. Është njëlloj si situata e Erion Veliajt”,-tha Këlliçi.










