Janë zbardhur krimet e Xhuliand Halilit, i dyshuar për vrasjen e Jani Aliajt dhe për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale në Greqi
Halili apo “Niko”, akuzohet për përfshirje në disa vrasje dhe atentate në territorin grek.
Sipas autoriteteve greke, Halili dyshohet se vrau brenda burgut të Koridhalos të dënuarin Alfons Ndoci dhe plagosi një tjetër të burgosur, ndërsa hetimet tregojnë se kjo vrasje mund të jetë porositur nga jashtë institucionit penitenciar kundrejt shpërblimit financiar.
Policia greke e konsideron Halilin si një nga personat më të rrezikshëm të botës së krimit dhe e lidh atë me të paktën katër vrasje, një tentativë vrasjeje dhe përfshirje në trafikun e drogës. Ai dyshohet se ka vepruar nën urdhrat e kriminelit të njohur grek Vasilis Varelas, një figurë kyçe e krimit të organizuar në Greqi.
Nga hetimet rezulton se aktiviteti kriminal i Halilit nis që nga viti 2008. Ndër ngjarjet për të cilat ai akuzohet janë:
Në nëntor të vitit 2008, në Kalamatë, u vra një 29-vjeçar, punonjës i një lokali nate. Halili dyshohet se ishte i përfshirë në këtë ngjarje.
Në mars të vitit 2009, në Nea Filadelfia, ai dyshohet se ka kryer një atentat ndaj ish-bashkëshortit të partneres së Varelas.
Në gusht të vitit 2009, u tentua një atentat i dytë ndaj të njëjtit person në Igumenicë, por pa pasoja për shkak të një defekti në armë.
Në nëntor të vitit 2011, në Mesinia, Halili dyshohet se ka ekzekutuar Fillim Mesajën dhe djalin e tij të mitur, në një ngjarje të lidhur me përplasje mes grupeve kriminale.
Në vitin 2018, Halili u arratis nga Porti i Pireut gjatë transferimit drejt burgut, së bashku me të dënuarin Alfons Ndoci, por të dy u arrestuan sërish pas një kohe të shkurtër nga autoritetet greke.










