Të dielën, situata atmosferike në territorin e Bashkisë Durrës është paraqitur e qetë, sipas autoriteteve lokale. Gjatë natës, reshjet e shiut kanë qenë me intensitet shumë të ulët, duke mos shkaktuar shqetësime të mëdha. Strukturat operacionale dhe ato të emergjencave janë në terren dhe po monitorojnë situatën vazhdimisht në bashkëpunim me Shtabin e Emergjencave Civile.
Sa i përket situatës hidrike, lumi Erzen ka regjistruar një rritje të nivelit të ujit, duke arritur kuota maksimale, dhe është nën monitorim të plotë. Në anën tjetër, lumi Ishëm është në kuota normale, duke reflektuar një stabilitet në këtë aspekt.
Në Bashkinë Krujë, moti është gjithashtu i kthjellët dhe pa probleme. Një fenomen i veçantë është vërejtur në malet e Krujës në fshatin Cudhi, ku borë ka mbuluar zonat malore, gjë që është një ndihmë për bletarët dhe ndihmon në krijimin e rezervave ujore për sezonet e ardhshme. Edhe në këtë bashki, lumenjtë Gjole dhe Zezë janë në kuota normale. Grupet e punës janë angazhuar në inspektimin e dëmeve në zonat problematike dhe do të vazhdojnë punën deri në identifikimin e plotë të situatës.
Bashkia Shijak po ashtu ndodhet nën mbikëqyrje dhe strukturat e saj po monitorojnë situatën pa ndërprerje. Mëngjesi në këtë zonë ka qenë i kthjellët me disa vransira. Gjatë mbrëmjes së kaluar, ka pasur reshje shiu me intensitet të ulët, por pa shqetësime të mëdha. Një çështje e dukshme ka qenë ndërprerja e energjisë electrike në disa zona, përfshirë Shijakun, Sallmone dhe Gjirin e Lalzit, por kjo ka qenë e përkohshme dhe shërbimi është rikthyer.
Autoritetet lokale vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe janë të gatshme për çdo emergjencë që mund të ndodhë në të ardhmen e afërt.










