Në ditën e gjashtë të prurjeve, lumi Vjosë po kthehet në nivele normale, ndërsa mbrëmjen e djeshme ka nisur të tërhiqet për shkak të rënies së reshjeve të shiut. Gjatë ditës së sotme, niveli i lumit ka zbritur në rreth 5.5 metra mbi nivelin e detit, duke u rikthyer në shtratin e tij dhe pa përbërë më rrezik për zonën.
Megjithatë, pasojat e përmbytjeve janë ende evidente. Në njësinë administrative Novosele janë prekur rreth 13 banesa, ndërsa në fshatin Bishan janë raportuar rreth 15 banesa ku uji ka depërtuar në oborre dhe, në disa raste, edhe brenda shtëpive.
“Që nga 2005, këto prurje nuk i kemi parë ndonjëherë. Te gjitha mobiljet janë lagur”, shprehen banorët të përmbytur në fshatrat Bishan dhe Fitore.
Banorët janë aktualisht duke pastruar baltën dhe mbetjet që lumi ka lënë në ambientet e tyre. Shqetësimi kryesor mbetet dëmi në bujqësi dhe blegtori, pasi prurjet e lumit kanë marrë me vete ushqimin e bagëtive, barin, misrin dhe rezerva të tjera jetike.
Situata për banorët mbetet e vështirë, ndërsa ata kërkojnë ndihmë emergjente, veçanërisht furnizim me ushqim për bagëtitë, pasi nuk kanë mundësi t’i sigurojnë ato vetë.











