OHIO – Momente tensioni ekstrem janë regjistruar nga kamerat e sigurisë në një dyqan në Ohajo, ku një i dyshuar për grabitje tentoi të qëllonte dy herë një oficer policie, por arma e tij u bllokua dhe nuk e shkrepi.
Ngjarja ndodhi të enjten e kaluar, kur oficerët e policisë ndërhynë për të ndaluar Shane Newman, 21 vjeç, i cili ndodhej në një dhomë sigurie të dyqanit, i ulur në një divan pranë një vajze të re. Pamjet tregojnë momentin kur situata përshkallëzohet papritur: i riu nxjerr një armë nga brezi dhe e drejton drejt oficerit, ndërsa vajza pranë tij shpërthen në panik duke bërtitur “Jo, jo, jo!”.
Sipas videos, Newman tërheq këmbëzën për herë të parë, por arma nuk shkrep. Në atë çast, një punonjës i dyqanit tenton ta çarmatosë duke u hedhur mbi të dyshuarin. Megjithatë, 21-vjeçari përpiqet sërish dhe tërheq këmbëzën për herë të dytë, por edhe këtë herë arma mbetet e bllokuar, duke shmangur një tragjedi.
Falë mosfunksionimit të armës dhe reagimit të shpejtë, oficeri i policisë arriti të neutralizojë situatën dhe të arrestojë të dyshuarin pa të lënduar. Më vonë, oficeri u shpreh se i riu “nxori armën, ma drejtoi në kokë dhe tërhoqi këmbëzën”, duke nënvizuar rrezikun e madh që kishte kaluar.
Ai shtoi se kishte menduar të përdorte armën e shërbimit, por u përmbajt nga frika se mund të godiste punonjësen e dyqanit që po përpiqej ta çarmatoste të dyshuarin. Sipas policisë, pak para incidentit, oficerët ishin informuar se Newman kishte një urdhër arresti aktiv dhe konsiderohej “i armatosur dhe i rrezikshëm”.
Pas arrestimit, Shane Newman u akuzua për tentativë vrasjeje dhe sulm ndaj një oficeri policie, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë.











