Robert Lewandowski mund të jetë pranë një kapitulli të ri në karrierë, larg Europës. Sipas Marca dhe gazetarit polak Marek Jóźwiak, sulmuesi 37-vjeçar i Barcelonës ka marrë një ofertë zyrtare nga Inter Miami.
Raportimet tregojnë se klubi amerikan i ka propozuar Lewandowskit t’i bashkohet skuadrës në verën e vitit 2026, pikërisht kur i përfundon kontrata me Barcelonën. Madje, pas kësaj oferte, polaku thuhet se i ka kërkuar rrethit të tij të afërt të nisë kërkimin për banesë në Miami, në rast se transferimi konkretizohet.
Më herët, mediat kishin raportuar se Lewandowski kishte marrë gjithashtu një ofertë nga Chicago Fire, por Inter Miami duket se ka hedhur hapin më serioz, me perspektivën për ta bërë polakun bashkëlojtar me Lionel Messin.
Këtë sezon, Lewandowski ka zhvilluar 17 ndeshje me Barcelonën, duke shënuar 8 gola dhe duke dhënë 2 asistime. Kontrata e tij aktuale me blaugranat skadon në verën e 2026, ndërsa vlera e tij në treg, sipas Transfermarkt, vlerësohet rreth 9 milionë euro.









