Debati për mbylljen e rrjetit social TikTok ka qenë në qendër të vëmendjes në javët e fundit në Shqipëri.
Nisur nga ngjarja më e fundit, dhe njëkohësisht ajo më e rënda, kryeministri Edi Rama propozoi mbylljen e rrjetit social aq shumë të përhapur në vendin tonë, sidomos mes të rinjve.
E drejtë apo e gabuar? Synimi i kësaj nisme sipas kryeministrit, do të jetë kufizimi i krimeve në internet dhe mbrojtja e fëmijëve.
Vendimi u njoftua pas vrasjes makabre të 14 vjeçarit Martin Cani përpara shkollës “Fan Noli” në Tiranë më 19 nëntor.
Sikur të mos mjaftonte tragjedia ku një fëmijë mbeti i vrarë, një tjetër u plagos dhe një tashmë ka përfunduar pas hekurave, një dramë më vete po zhvillohej në rrjetet sociale, veçanërisht TikTok.
Fill pas ngjarjes tragjike, një video që tashmë është fshirë e një diskutimi mes dy të rinjsh në rrjetin social Tik-Tok, ngjalli reagim te përdoruesit dhe u publikua më tej në mediat e ndryshme tradicionale, pa verifikimin e nevojshëm.
Artikujt në këto media kanë përshkruar diskutimin e të rinjve në video si një “kërcënim i të afërmeve të vrasësit të Martinit për të bërë shembull këdo që i shan”.
Ky interpretim ka nxitur komente urrejtjeje ndaj familjes së të miturit të arrestuar, duke rrezikuar që të vijojë më tej zinxhiri i hakmarrjes ndaj familjes së tij.
Por pas një verifikimi u zbulua se bëhej fjalë për një fragment të shkëputur nga një bisedë më e gjatë në grup mes dy të rinjve.
Personi që shfaqet me pamje dhe që pretendon se dhe ai do të “bëjë shembull këdo që e shan”, mban profilin me emrin “Gazi Mashtruesi”. Ky person dëgjohet që i drejtohet bashkëbiseduesit të paidentifikuar, si “kushua” nga Kukësi i adoleshentit që kreu vrasjen në shkollën “Fan Noli”. Në asnjë moment, nuk dëgjohet bashkëbiseduesi, që pretendohet se është kushëriri, që të përdorë ndonjë kërcënim publikisht.
Policia e Shtetit konfirmoi pas hetimeve se nuk bëhet fjalë për të afërm të autorit të krimit. Në njoftimin e saj zyrtar. Policia tha se e ka identifikuar adoleshentin 16 vjeçar në videon e TikTok, banues në SHBA dhe ndaj tij ka nisur procedimi për veprën penale “nxitje e urrejtjeve ose grindjeve”.
Për ekspertin e IT, Besmir Semanaj debati mbi mbylljen e TikTok është një temë komplekse që meriton vëmendje dhe analizë të thellë.
“Çdo rrjet social ka problematikat e veta, por ndalimi i tij është një masë ekstreme. Si mbështetës i teknologjisë dhe zhvillimit të saj, nuk do të isha në parim pro mbylljes së një platforme. Megjithatë, në kontekstin shqiptar, ku institucionet shpesh janë të papërgatitura për të monitoruar dhe adresuar problemet që lindin nga përdorimi i tije, mbyllja e përkohshme mund të jetë një zgjidhje deri në përditësimin e legjislacionit dhe forcimin e kapaciteteve institucionale”, tha eksperti.
Më tej Semanaj shton se në këtë rrejt social, shpesh promovohen personazhe problematike dhe një ndërprerje e nevojshme e platformës mund të jetë e nevojshme, për të mbrojtur veçanërisht të rinjtë.
“Në Shqipëri, përdorimi i TikTok-ut shpesh ndodh në mënyrë të papërshtatshme, duke promovuar personazhe problematike dhe përmbajtje që nuk kontribuon pozitivisht në edukimin apo zhvillimin shoqëror. Për këtë arsye, nëse institucionet nuk mund të vendosin rregulla të qarta dhe efikase për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm, një ndërprerje e përkohshme e platformës mund të shërbejë si një hap i domosdoshëm për të mbrojtur publikun, veçanërisht të rinjtë.
Qëllimi nuk duhet të jetë ndalimi i teknologjisë, por përdorimi i saj në mënyrë të përgjegjshme dhe të kontrolluar”, shprehet Semanaj.
Ai rendit edhe rastet më flagrante të përhapjes së informacionit të pavërtetë në TikTok, që vijojnë si më poshtë:
• Teoritë konspirative, të cilat shpesh deformojnë realitetin dhe krijojnë frikë të pajustifikuar te publiku.
• Krijimi i krizave të rreme shoqërore, politike dhe ekonomike, duke përhapur panik masiv apo keqinformim të qëllimshëm.
• Promovimi i dhunws dhe bullizmit online, ku shpesh individë ose grupe të caktuara bëhen shënjestër e gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve.
• Krijimi i “heronjve” pa baza morale, ku personazhe me sjellje problematike ose me histori të dyshimta me ligjin glorifikohen dhe promovohen si modele për të ndjekur.
• Lajmet e rreme (fake news), që shpesh përhapen shumë shpejt për shkak të natyrës virale të platformës, duke çorientuar përdoruesit dhe shpesh duke ndikuar në vendime të rëndësishme personale ose shoqërore.
Sipas drejtuesit të Qëndresës Qytetare, Rigels Xhemollari, debati për mbylljen e TikTok ka për qëllim të shmangë debatin real: atë të përgjegjësisë institucionale.
“Mendoj që debati i TikTok është hedhur nga kryeministri, duke ditur ndjeshmërinë e prindërve për kohën e gjatë të kaluar në rrjetet sociale nga fëmijët e tyre dhe duke iu shmangur debatit real të përgjegjësive që ka shkolla për të ofruar infrastrukturën e duhur, kohën e duhur me nxënësin dhe sigurinë e duhur sipas legjislacionit në fuqi”, thotë Xhemollari.
Por Sonila Backa, mësuese në “Albanian College” në Tiranë thotë se mbyllja e TikTok mund t’i ndihmojë nxënësit dhe të rinjtë të fokusohen në mësime.
Megjithatë kjo do t’i privonte ata nga një mënyrë argëtuese ku mund të shprehin vetëveten dhe për Backën, zgjedhja më e mirë do të ishte vendosja e disa rregullave.
E mes debatit për mbylljen ose jo të TikTok, cilat do të ishin disa zgjidhje për ta adresuar më mirë problemin?
Rregulla, rregulla dhe rregulla! Këtë propozon Semanaj, por këto masa nuk kanë qenë efikase deri më tani në Shqipëri sipas tij.
“Po, TikTok mund të kontrollohet përmes rregulloreve të ndryshme, si vendosja e kufizimeve për moshën, monitorimi i përmbajtjes dhe përmirësimi i standardeve të sigurisë. Megjithatë, deri më tani, këto masa nuk kanë qenë efikase per Shqipëri.
Platforma vazhdon të jetë e aksesueshme nga mijëra të mitur që nuk duhet të jenë pjesë e saj, duke shkelur rregullat e përcaktuara për moshën minimale. Gjithashtu, ekziston një mungesë e madhe e edukatës digjitale, jo vetëm tek të rinjtë, por sidomos tek prindërit, të cilët shpesh nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet dhe përgjegjësitë që vijnë nga përdorimi i platformave të tilla.
Kontrolli efektiv kërkon një angazhim të koordinuar mes institucioneve, komuniteteve dhe vetë prindërve për të krijuar një mjedis më të sigurt online”, thotë ai.
Edhe Backa propozon vendosjen e rregullave, duke filluar me një limit kohor në përdorimin e aplikacionit nga ana e të rinjve.
Më tej ajo thotë se duhet të ketë udhëzime edhe për përmbajtjen, në mënyrë që ajo që të prodhohet të jetë edukative dhe jo e dëmshme.
Ndërkohë Xhemollari ndalet sërish te roli i shkollës përballë hapësirave të reja që kanë shpesh ndikim më të madh se edukimi tradicional.
“Shkolla përgjatë orarit që mban nxënësit brenda saj është e detyruar me ligj të krijojë hapësira për dorëzimin e telefonave, infrastrukturë që nuk aplikohet në asnjë shkollë publike.
Lidhur me përdorimin e rrjeteve, shkolla mund të aplikojë kurrikula të edukimit mediatik të cilat përmirësojnë qasjen digjitale të të rinjve, por aktualisht vetëm 5% e shkollave publike kanë rrjet internet ëireless dhe raporti është 1 kompjuter për 20 nxënës, infrastrukturë e pamundur për ta realizuar”, thotë Xhemollari.
Disa këshilla për t’u mbrojtur nga përmbajtjet e rreme në TikTok:
Semanaj këshillon kujdes, limite kohore dhe monitorim nga prindërit për përdoruesit e mitur.
“Personalisht, do t’i këshilloja të gjithë përdoruesit e TikTok-ut që të jenë të kujdesshëm me informacionin që konsumojnë në këtë platformë dhe të përpiqen të shmangin përmbajtjet e dëmshme, si videot që promovojnë dhunë apo personazhe me të kaluar kriminale.
• Ruani privatësinë: Tregohuni të kujdesshëm me ndarjen e të dhënave personale. Në vitet e fundit, janë raportuar shumë raste, sidomos me vajza të reja, që kanë rënë pre e shantazheve pas ndarjes së informacionit privat.
• Vendosni limite kohore: Përpiquni të kufizoni kohën që shpenzoni në këtë aplikacion dhe në platformat e tjera, për të shmangur varësinë dhe për të ruajtur një ekuilibër të shëndetshëm.
• Monitorimi nga prindërit: Prindërit duhet të jenë vigjilentë ndaj përmbajtjeve që fëmijët e tyre shikojnë apo postojnë, si dhe me kë komunikojnë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojnë përdorimin e funksioneve live nga fëmijët në këtë platformë.
Këto masa mund të ndihmojnë në një përdorim më të sigurt dhe më të ndërgjegjshëm të TikTok-ut”, thotë ai.
Si në Shqipëri ashtu edhe në rajon, sfidat e paraqitura nga TikTok janë pothuajse të njëjta. Përveç dezinformatave dhe lajmeve të rreme, përmbajtja në këtë rrjet social ndonjëherë mund të bëhet burim rreziku.
Por ndërkohë që Shqipëria përballet me debatin e gjerë për mbylljen e TikTok, duke e konsideruar atë si shkaktar të të gjitha problemeve, rajoni duket se ka menduar për zgjidhje të tjera.
Në Maqedoninë e Veriut, shqetësimet rreth TikTok janë përshkallëzuar nga dezinformimi i thjeshtë, në pasoja të jetës reale që po ndikojnë në strukturën e shoqërisë. Së fundmi, njëmbëdhjetë fëmijë u plagosën dhe u shtruan në spitalin e qytetit në kryeqytetin e Shkupit pasi tentuan një sfidë të re në platformën e mediave sociale.
Ky marifet i rrezikshëm përfshinte fëmijët që shtrinin krahët si Supermeni dhe u hidheshin në ajër nga bashkëmoshatarët e tyre. Ndërsa për fat të mirë vetëm dy fëmijë pësuan thyerje të krahëve, të tjerët pësuan mavijosje. Në periudhën në vijim, si autoritetet ashtu edhe qytetarët e shqetësuar theksuan një nevojë urgjente për më shumë sesa thjesht monitorim të TikTok. Shumë janë gjithashtu duke vënë në dukje rolin kritik të edukimit në parandalimin e sjelljeve të tilla të rrezikshme midis përdoruesve të rinj.
Për më tepër, qeveria dhe ekspertët në Maqedoninë e Veriut kanë theksuar se ndalimi i TikTok nuk është zgjidhja. Në vend të kësaj, ata po bëjnë thirrje për një qasje edukative për të zbutur rreziqet që lidhen me platformën. Ndërsa vendi ka parë diskutime të ngjashme në të kaluarën, sipas ministrit të Maqedonisë së Veriut për transformimin digjiital Stefan Andonovski, “ndalimi i aplikacioneve do të ishte një rrugë malore”.
“Si një vend që e konsideron veten evropian, i përkushtuar ndaj vlerave liberale dhe idealeve progresive të BE-së, do të ishte kundërproduktive të ndiqej një ndalim i plotë i aplikacioneve. Këto sfida mund të shfaqen lehtësisht në platforma si Facebook, YouTube dhe Instagram nesër. A duhet të mendojmë atëherë ndalimin e të gjitha rrjeteve sociale në vend?” theksoi Andonovski.
Ekspertët e të drejtave digjitale i bëjnë jehonë mendimit. Të gjitha platformat kanë të mirat dhe të këqijat e tyre, dhe është e rëndësishme ta mbani në mend këtë. Megjithatë, diskutimet për rregullimin e tyre duhet të zhvillohen në gjykata, në shoqëritë demokratike, dhe jo përmes urdhëresave parlamentare.
Në këtë kuptim, Ena Bavcic, një studiuese e të drejtave digjitale me bazë në Bruksel, thekson kufizimet e ndalimeve në adresimin e këtyre çështjeve.
“Ne duhet t’u qasemi këtyre problemeve përmes vendimeve gjyqësore dhe jo ndalimeve të përgjithshme”, vëren ajo, duke theksuar se qëllimi i internetit është të jetë një hapësirë e lirë për risi dhe shprehje.
“Për mua, ka më shumë kuptim që këto vendime të kalojnë nëpër gjykata, siç bëri Brazili me X. Këtu mund ta trajtojmë me të vërtetë çështjen, veçanërisht në vendet demokratike me një shkallë të sundimit të ligjit. Megjithatë, duhet të pranojmë gjithashtu se vendimet e qeverisë, edhe pse ndonjëherë të justifikueshme, mund të hapin derën për ndalime më kufizuese në shoqëritë demokratike. Qeveritë ndryshojnë, dhe me ngritjen e së djathtës ekstreme, cila platformë do të ishte më pas ajo e radhës që do të ndalohej?” pyet Bavçiç, duke vënë në dukje se kjo mund të mbysë fjalën e lirë dhe inovacionin në shoqëritë demokratike.
Rritja e “higjienës” kibernetike në të gjitha moshat
Në vend të kësaj, Andonovski dhe ekipi i tij janë të përqendruar në krijimin e programeve dhe iniciativave edukative për të mësuar përdoruesit e rinj, prindërit dhe edukatorët se si të lundrojnë në mënyrë të sigurtë në peizazhin digjital. Siç thekson zyrtari, ky është një hap vendimtar drejt krijimit të një hapësire digjitale më të sigurt për të gjithë qytetarët, veçanërisht të rinjtë, duke qenë se në epokën e digjitalizimit të shpejtë, “siguria e internetit nuk është luks, por domosdoshmëri”.
Një nga përgjigjet kryesore nga qeveria maqedonase për këtë është projekti MKSafeNet, i financuar nga BE-ja përmes programit të saj Evropa Digjitale. Kjo nismë është krijuar për të përmirësuar kuadrin e sigurisë digjitale të vendit nëpërmjet një qasjeje të shumëanshme. Ai ka një qëllim parësor që të edukojë të rinjtë, prindërit dhe edukatorët për sigurinë kibernetike dhe përdorimin e sigurt të internetit.
Financimi i projektit mbështet zhvillimin e materialeve edukative në maqedonisht, shqip dhe gjuhë të tjera për të arritur grupmosha të ndryshme, duke filluar nga kopshti deri te universiteti. Këto materiale do të mbulojnë tema të tilla si njohja e burimeve të besueshme, dallimi midis lajmeve të rreme dhe reale dhe zbatimi i masave bazë të sigurisë si krijimi i llogarive të përshtatshme për moshën në pajisjet celulare.
“Frymëzimi erdhi nga një mjet për mbrojtjen e fëmijëve të quajtur Casper, i cili monitoronte mesazhet e marra përmes mediave të ndryshme sociale dhe zbuloi mesazhe keqdashëse, ngacmime kibernetike, përballje vizuale me lakuriqësinë dhe foto të tjera që nuk janë të destinuara për fëmijë”, thotë Ivan Chorbev, profesor në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë (FINKI) me seli në Shkup dhe menaxher i projektit për MKSafeNet.
Mjete për të filtruar përmbajtjen e papërshtatshme për përdoruesit e rinj
Projekti përfshin gjithashtu krijimin e një qendre interneti më të sigurt, e cila do të shërbejë si një qendër informacioni dhe burimesh. Hapi i parë është krijimi i një qendre thirrjesh ku fëmijët dhe prindërit mund të raportojnë incidentet kibernetike dhe të marrin udhëzime se si t’i trajtojnë ato. Përveç qendrës së thirrjeve, MKSafeNet do të nisë fushata edukative dhe seminare për të rritur ndërgjegjësimin për rreziqet e platformave si TikTok dhe për të promovuar praktika digjitale më të sigurta.
Qëllimi përfundimtar i projektit është krijimi i një modeli të ngjashëm me ato që gjenden në vendet e BE-së, ku Qendrat e Internetit më të Sigurt kanë qenë instrumentale në krijimin e një mjedisi të sigurt në internet për përdoruesit e rinj.
“Përveç mbledhjes dhe përshtatjes së materialeve ekzistuese, do të punojmë edhe në krijimin e materialeve të reja edukative, materialeve të shkruara, audio, video, madje edhe materiale për trajnerë. Më pas synohet të vizitojmë një numër të madh shkollash ku mund t’i bëjmë këto trajnime, në mënyrë që të fillojmë atë proces mësimor tek fëmijët dhe të ndërgjegjësojmë për këtë temë”, shpjegon më tej Çorbev.
Si pjesë e projektit MKSafeNet, ekspertët do të zhvillojnë gjithashtu mjete për të filtruar dhe bllokuar përmbajtjen e papërshtatshme. Për fëmijët më të vegjël, ku është më sfiduese të futen praktikat e sigurisë kibernetike, ka mjete në dispozicion të prindërve për të kufizuar aksesin në materiale potencialisht të dëmshme.
Chorbev shpjegon se shpesh ka mungesë të udhëzimeve për prindërit se si t’i përdorin këto mjete në mënyrë efektive.
“Ndonjëherë zgjidhjet janë të thjeshta, si krijimi i llogarive të përshtatshme për moshën, por ka një boshllëk në informacionin e disponueshëm për prindërit”, thotë ai.
Sa i përket diskutimit nëse një ndalim do të ishte sa më efikas, ai thekson rëndësinë e arsimit ndaj ndalimeve.
“Për mua, ka më shumë kuptim që këto diskutime të zhvillohen në gjykata sesa përmes ndalimeve të përgjithshme.”
Chorbev beson se qasja edukative është jo vetëm më efektive, por edhe më pak përçarëse.
“Ndalimi i platformave mund të krijojë një shoqëri ku liria e shprehjes kufizohet dhe qeveritë e tejkalojnë atë”, shton ai. “Në vend të kësaj, ne duhet të fokusohemi në krijimin e një mjedisi dixhital të sigurt dhe gjithëpërfshirës për të gjithë përdoruesit.”
I nisur në shtator të këtij viti, kohëzgjatja 18-mujore e projektit do të lejojë një prezantim gjithëpërfshirës të materialeve dhe mjeteve edukative. Ai synon të lërë pas një sistem ku trajnerët dhe mësuesit mund të vazhdojnë t’u japin këto aftësi brezave të ardhshëm.
“Theksi këtu është në sigurinë kibernetike dhe përdorimin e sigurt të internetit. Pas 18 muajsh, ne duam të lëmë një trashëgimi edukatorësh të trajnuar që mund të çojnë përpara misionin e sigurisë digjitale”, përfundon Çorbev.