Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.6 goditi prefekturën Aomori në veri të Japonisë pak pas orës 23:00 të hënës, sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë (JMA). Epiqendra e tij u regjistrua 80 kilometra larg bregut lindor të Aomorit, me një thellësi prej 50 kilometrash. Pas këtij ngjarjeje, autoritetet lëshuan një paralajmërim për cunami deri në tre metra për tri prefekturat: Aomori, Hokkaido dhe Iwate.
Menjëherë pas tërmetit, Shërbimi Meteorologjik regjistroi një cunami të vogël prej 30-50 centimetrash në disa zona, që nxiti thirrje për evakuim nga ana e autoriteteve për banorët e zonave bregdetare, të cilët u kërkuan të zhvendosen në vende më të larta. Intensiteti i tërmetit u klasifikua si 6+ në shkallën japoneze nga 1 deri në 7. Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, epiqendra ishte pranë qytetit të Misawa.
Rreth 20 minuta pas goditjes fillestare, një pasgoditje me magnitudë 5.6 u regjistrua në të njëjtin rajon detar. Dridhjet ndihen aq të fuqishme sa që raportohen deri në Tokio. Ky është një shembull tjetër i rrezikut të vazhdueshëm që përballen qytetarët japonezë, të cilët jetojnë në një zonë me aktivitet të lartë sizmik, ku Japonia regjistron rreth 1,500 deri në 2,000 tërmete çdo vit.
Vendndodhja e Japonisë, në një pikë ku përplasen disa pllaka kontinentale dhe oqeanike, bën që ky vend të jetë vunerabël ndaj tërmeteve të forta. Ngjarje të ngjashme kanë ndodhur më parë, përfshirë tërmetin shkatërrues të vitit 2011 që çoi në valë cunami të mëdha, duke shkaktuar dëme të rënda dhe humbje jetësh.
Pavarësisht dridhjeve dhe paralajmërimeve për cunami, autoritetet vazhdojnë të monitorojnë situatën dhe të japin informacione për sigurinë e popullsisë.











