Norvegjia po realizon një projekt ambicioz me ndërtimin e tunelit rrugor nëndetar më të gjatë dhe më të thellë në botë, i njohur si Rogfast. Ky tunel, i gjatë 27 kilometra dhe me një thellësi prej 392 metrash nën nivelin e detit, ka si qëllim të përshpejtojë udhëtimet midis qyteteve kryesore të bregdetit perëndimor dhe të eliminojë nevojën për tragete. Emri “Rogfast” është një përshkurtim i “Rogaland fastforbindelse,” duke nënkuptuar lidhjen e shpejtë në rajon.
Ndërtimi i tunelit ka filluar në janar 2018, por u pezulllua në fund të vitit 2019 për shkak të kostove që tejkalonin buxhetin, çka çoi në anulimin e kontratave ekzistuese dhe ristrukturimin e projektit. Puna rifilloi në vitin 2021 dhe pritet të përfundojë deri në vitin 2033, me një buxhet prej rreth 25 miliardë krona norvegjeze (rreth 2.4 miliardë dollarë).
Tuneli do të përbëhet nga dy tunele të ndara me dy korsi secila, dhe do të ketë një unazë të dyfishtë në thellësi 260 metra, e cila do të lidhet me ishullin Kvitsøy. Procesi i ndërtimit kërkon teknologji të avancuara, duke përfshirë përdorimin e pajisjeve me lazer për të krijuar një “binjak digjital” që lejon një monitorim të vazhdueshëm të ndërtimit për të shmangur gabimet.
Rogfast është pjesë e rindërtimit të autostradës E39, e cila lidh Trondheimin me Kristiansand dhe aktualisht përfshin 21 orë udhëtim me traget. Qëllimi i projektit është të reduktojë këtë kohë dhe të krijojë një rrugë pa tragete përmes ndërtimit të tuneleve dhe urave.
Megjithëse mbyllja e linjave të trageteve mund të sjellë shqetësime për humbjen e vendeve të punës, përfitimet për komunitetet lokale dhe ekonominë pritet të jenë të mëdha. Rogfast do të përmirësojë aksesin në punë, arsim dhe shërbime publike, duke ulur kostot logjistike dhe duke lehtësuar operimin e bizneseve në rajon. Në fund, Rogfast do të vendosë një rekord të ri si tuneli më i thellë dhe më i gjatë nën det, duke kaluar konkurrencën nga Seikan dhe Channel Tunnel.











