Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, qyteti i Durrësit u shndërrua në një simbol solidariteti dhe angazhimi qytetar, duke u mbuluar nga ngjyra portokalli. Aktiviteti përmbledhi gra dhe vajza, kryesisht nga zonat periferike, si dhe qytetarë të tjerë, të cilët u bashkuan në një protestë paqësore për të dërguar mesazhe kundër dhunës me bazë gjinore dhe për të kërkuar më shumë siguri në komunitet.
Një nga nismat kryesore të aktivitetit ishte lansimi i një peticioni publik për dorëzimin vullnetar të armëve të zjarrit, si një hap i parë drejt procesit të amnistisë kombëtare për armët. Organizatorët, që janë aktorë të shoqërisë civile me përvojë në mbështetje të grave dhe vajzave të prekura nga dhuna, theksuan rëndësinë e këtij procesi në kontekstin e statistikave shqetësuese lidhur me dhunën në familje në Durrës, ku gjysma e kërkesave për Urdhra të Menjëhershëm Mbrojtjeje janë të lidhura me dhunën në familje.
Sipas të dhënave të fundit, Durrësi udhëheq listën kombëtare me numrin e këtyre kërkesave, duke e bërë dhunën në familje një problem serioz dhe të zakonshëm në jetët e shumë grave. Pavarësisht përpjekjeve për ta adresuar këtë çështje, numri i femicideve dhe rastet e dhunës vazhdojnë të jenë alarmante, shumica e të cilave ndodhin me armë të papermbajtura.
Gjatë aktivitetit, u theksua gjithashtu se dhuna digjitale ndaj grave dhe vajzave ka marrë përmasa shqetësuese. Në kuadër të temës globale të këtij viti, “T’i japim fund dhunës digjitale ndaj grave dhe vajzave”, organizatorët shprehën shqetësimin për ngacmimet dhe shantazhin në hapësirat online. Sipas tyre, 44% e grave globalisht nuk gëzojnë mbrojtje ligjore ndaj dhunës digjitale, një situatë që kërkon ndërgjegjësim dhe forcim të legjislacionit në Shqipëri.
Në përfundim, organizatoret shprehën angazhimin e tyre për të krijuar një shoqëri ku gratë dhe vajzat ndihen të sigurta, të respektuara dhe të fuqizuara, duke vazhduar punën e tyre për një ndryshim të qëndrueshëm.











