Policia greke ka arrestuar një shqiptar të dyshuar për vjedhjen e mbi 100,000 portofolave kriptovalutash. Shtetasi Sotitaq Kolezi, 38 vjeç, nga Bilishti, është në qendër të një operacioni të gjerë ndërkombëtar, ku vlerësohet se vlera totale e portofolave të vjedhur mund të arrijë në miliona euro.
Ky arrestim është rezultat i operacionit “Endgame”, i koordinuar nga Europol dhe Eurojust, që synon të luftojë krimin kibernetik në nivel global. Rrjeti i shënjestruar nga ky operacion kishte përfshirë disa programe të njohura si Rhadamanthys, Trojanin VenomRAT dhe botnetin Elysium. Këto mjete teknologjike kishin mundësuar sulme ndaj qindra mijëra viktimave në mbarë botën përmes software-it të keqdashës.
Operacioni i fundit u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet ligjore nga Greqia, Australia, Belgjika, Kanadaja, Danimarka, Franca, Gjermania, Lituania, Holanda, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, duke përmirësuar ndjeshëm kapacitetet për të goditur krimin e organizuar në internet. Gjatë këtij operacioni, janë arrestuar individë dhe janë kryer kontrolle në 11 lokacione, përfshirë një në Greqi, një në Gjermani dhe 9 në Holandë.
Një arritje tjetër e rëndësishme ka qenë ndërprerja e mbi 1,025 serverave që përdoroheshin për të kryer këto sulme dhe sekuestrimi i 20 domeneve të internetit të lidhura me aktivitetet e paligjshme. Rrjeti i zbulimit përfshinte qindra mijëra kompjuterë të infektuar, të cilët përmbanin miliona të dhëna të vjedhura, shumë prej të cilave ishin të panjohura nga viktimat.
Ky operacion nënvizon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit kibernetik dhe tregojnë se autoritetet janë të angazhuara për të zgjidhur këto probleme që prekin individë dhe biznese në të gjithë botën.











