Fati i buzëqeshi për pak çaste një 83-vjeçareje nga Teksasi, e cila fitoi shumën marramendëse prej 83 milionë dollarësh (rreth 71.5 milionë euro) në llotari. Por, në vend që jeta e saj të ndryshonte për mirë, ajo u përfshi në një betejë ligjore që mund t’ia mohojë përgjithmonë këtë shumë.
E moshuara bleu biletën fatlume përmes aplikacionit Jackpocket Lottery, që ofron mundësinë për të blerë bileta llotarie online, nga distanca. Pasi verifikoi që numrat e saj kishin fituar, ajo priste të merrte paratë. Megjithatë, pak ditë më vonë, Llotaria e Teksasit njoftoi pezullimin e përdorimit të shërbimeve të palëve të treta, duke përmendur një boshllëk ligjor në funksionimin e tyre.
Kjo vendim befasues vuri në dyshim vlefshmërinë e pjesëmarrjes së saj, pasi bileta ishte blerë përmes një platforme që nuk figuronte zyrtarisht. Si rezultat, ajo nuk mori kurrë shpërblimin prej mbi 70 milionë eurosh.
Por 83-vjeçarja nuk qëndroi duarkryq. Në maj të vitit 2025, ajo paditi Llotarinë e Teksasit, duke argumentuar se rregullat u ndryshuan pasi ajo kishte fituar, gjë që bie ndesh me ligjshmërinë e procesit. Çështja pritet të shqyrtohet në gjykatë, ndërsa e moshuara kërkon shumën që – sipas saj – i takon me të drejtë.
Ky rast ka hapur debat të gjerë në SHBA, duke nxjerrë në pah rreziqet që mund të sjellë përdorimi i aplikacioneve të palëve të treta për lojërat e fatit. Për disa, kjo është dëshmi se teknologjia mund të krijojë boshllëqe në mbrojtjen e lojtarëve; për të tjerë, thjesht një rast që teston kufijtë e ligjit.
E vetmja gjë e sigurt është se, në vend që të shijojë një jetë të qetë e të rehatshme me familjen e saj, 83-vjeçarja ndodhet sot në një situatë të vështirë dhe emocikonalisht rraskapitëse për të fituar atë që ajo beson se është e saj me të drejtë.