Julian Shehu ka startuar sezonin 2025/26 në mënyrën më të mirë të mundshme me Widzew Łódź në Ekstraklasa, elita e futbollit polak.
Mesfushori shqiptar realizoi një gol spektakolar në minutën e 40-të të sfidës kundër Zagłębie Lubin, takim i vlefshëm për javën e parë të kampionatit.
Me një gjuajtje të fuqishme dhe të saktë nga jashtë zone, Shehu dërgoi topin në trekëndëshin e portës, duke ndezur entuziazmin në “Stadion Widzewa”. 26-vjeçari u bë kështu lojtari i parë që shënon për Widzew në këtë sezon të ri, duke dhënë sinjalet se do të jetë një element kyç për skuadrën.
Festimi i tij nuk kaloi pa u vënë re! Shehu zgjodhi të tregojë krenarinë për origjinën, duke bërë simbolin e shqiponjës dykrenare me duar, mes brohoritjeve të tifozëve në stadium.
Pjesë e formacionit titullar në këtë sfidë ishte edhe Lindon Selahi, një tjetër shqiptar që i është bashkuar Widzew Łódź gjatë merkatos së verës, pas transferimit nga kampionët e Kroacisë, HNK Rijeka.
Një fillim premtues për dyshen shqiptare në Poloni, që pritet të japin kontribut të rëndësishëm në ambiciet e klubit për sezonin e ri.