“E dua për vrasje”! Maskat e krimit me numër Kolumbie! “Tagg shokun kriminel”, “Gati për krim”! Këto janë disa nga mesazhet në disa prej faqeve në përhapura në “Tik Tok”, ku mbi 155.7 mijë ndjekës duket sikur ndjekin qetësisht rregullat: “Të vjedhësh apo të vrasësh pa u njohur”.
Kjo linjë e këtyre kërkesave nuk është një shaka, por një realitet që ndodh në mes të ditës në Shqipëri. Interneti, që ka sjellë kaq zhvillim e komunikim, nuk është lënë pa u shfrytëzuar as nga ata që duhet të jenë një hap përpara policisë për të furnizuar keqbërës nga më të ndryshmit.
Emisioni “Vetting” hulumtoi për disa javë në rrjetet sociale dhe faktoi se vetëm në “Tik – Tok”, një rrjet që përdoret nga të rinjtë, gjendeshin lehtësisht disa aksesorë për persona që përfshihen në krim, kryesit në vjedhje, e deri në heqje lirie apo vrasje. Gazetarët e “Vetting” kanë arritur të gjenin maska dhe doreza silikoni, të cilat shpesh bëhen objekt përdorimi nga individ apo edhe grupe kriminale. Sipas ekspertit kriminalistik Artan Rexhepi: “Ngjarjet ku përdoren maskat, dorezat dhe aksesorë të tjerë hynë te ngjarjet e vështira, për të mos thënë shumë të vështira, por jo të pazbulueshme. Këto janë ngjarje që duhet t’i izolosh shpejt, duhet të arrish të gjesh maskën, pastaj duhet të lidhësh maskën me personin. Nëse gjen maskën, mund të gjesh gjurmë AND-je, mund të gjesh qime, dua ta theksoj që hyn tek ngjarjet e vështira. Maskat krijojnë shumë hendeqe për zbulueshmërinë”.
Në “rrjetën” e gazetarëve të “Vetting” kanë rënë dy adresa “Tik-Tok”-u, që mbajnë emrat “Albanian Mask” dhe “I rrezikshmi”. Në këto dy adresa bien në sy tregtimi i maskave të përmasave të ndryshme, të cilët janë me material silikoni. Maskat e sugjeruara nga këto dy faqe arrijnë të ndryshojë 100% tiparet e njeriut, duke arritur të mashtrojë kamerat e sigurisë. Madje, ekspertët thonë se, me këto maska është gati e pamundur të kuptohet se është një person tjetër nga ai që duket në pamjen e parë. Maskat kanë përmasa të ndryshme dhe arrijnë deri tek kraharori i njeriut, duke bërë që përveç fytyrës, të fshihen edhe detaje që mund të dekonspiroheshin nga kamerat e sigurisë apo dëshmitarë që mund të jenë në vendin ku ndodh krimi. Ajo që bie në sy është se shitësit nuk fshihen aspak, por e kanë kthyer në një treg ku reklamojnë me krenari cilësinë dhe transportin në çdo kohë. “Maskë silikoni, cilësia më e mirë”, “Maska identike si në video, transport kudo”, “Kontakto në ‘Whatsapp’ për porosi”, “500 euro kesh”, “Pagesa në dorëzim”.
Këto reklama shoqërohen edhe me muzikë, “Mama, I’m a criminal”, si për të përcjellë sigurinë dhe garancinë se për çfarë vlen ky “mall”. Ndërkohë, mijëra fansa të këtyre faqeve e ndjekin këtë biznes qetësisht, a thua se kemi të bëjmë me një treg edukativ, ku duhet të marrin pjesë të gjithë. Nga kërkimet që kanë kryer gazetarët e “Vetting” rezulton se kjo faqe “Tik-Tok”-u ka nisur aktivitetin e saj pak muaj më parë, konkretisht në datën 13 gusht 2024, duke fituar qindra e qindra ndjekës brenda pak ditësh. Avokatja Margarita Kola u shpreh: “Në rastet kur ata kanë dijeni që po ia shesin një organizate kriminale, këtu ligji nuk ka më vend për diskutim, je edhe ti një lloj bashkëpunëtori me atë që do të kryejë krimin. Në qoftë se provohet me fakte se ti po ia shet një organizate kriminale, patjetër që edhe ti je pjesë e krimit, patjetër që do të dënohesh sipas ligjit”. Ekspertët ngrenë alarmin se shteti duhet të kthejë vëmendjen duke ndryshuar edhe legjislacionin për këtë lloj reklamimi apo përdorimi të rrjeteve sociale për këto “mallra” që shiten. Avokatja e njohur Kola theksoi se: “Nuk kemi një nen specifik për maskat, por mund t’i referohemi nenit 80 të Kodit Penal, ku thotë se, ‘krijimi i kushteve për të kryer një vjedhje ose vrasje’. Problemi është se kjo ka të bëjë më shumë ka të bëjë me parandalimin sesa kur kjo kryerjen si vepër penale. Ende sot vijojnë të shiten pa asnjë problem këto maska që mund të përdoren nga grupe kriminale, për grabitje ose vrasje”.
“Unë do të bëj një paralelizëm me armët, që është një problem në vendet e tjera ku lejohet shitja e armëve. Për mendimin tim, nuk është e lehtë të provosh që shitësi me motiv të plotë dhe bindje ta shet ty maskën, ose një palë doreza me motivin për të kryer një krim. Ai mund të mos jetë subjekt i veprës penale, por unë mendoj që raste të tilla do të rregullohen me ligj, si psh., një formulë mund të jetë si në SHBA kur ti blen një armë, regjistrohesh me të dhënat e tua, kur e ke blerë armën dhe regjistrohesh me kartë identiteti dhe policia e di dhe e ka shumë të lehtë se cili person e ka kryer veprën penale, sepse e di që ka blerë këtë armë në këtë vend, ditë ose kalibrin e armës. Kjo gjë mund të rregullohet edhe me punën e maskave ose dorezave. E para njëherë duhet të fillojë që nga licencimi, këto subjekte që e tregtojnë duhet të jetë të regjistruara që të dihet kush shet dhe kush e blenë. Qoftë për personat që blejnë maska, doreza silikoni ose mjete të tjera duhet të regjistrohen në mënyrë që të jetë më e lehtë për të zbuluar veprën penale”, tha avokatja.
“Dua maskën me mjekrën e Faton Harizajt”
Numri i lartë i ndjekësve që bën “Tagg shokun kriminel” në këto video të gjendura lehtësisht në “Tik-Tok”, me mijëra ndjekës, shihet me shumë shqetësim dhe alarm nga ekspertët e sigurisë. Avokati Mevlut Derti u shpreh se: “Këto grupe apo kontingjente kriminale të mos arrijnë të sigurojnë kushte të favorshme logjistike për të kryer një vepër penale një vjedhje, vrasje ose ngjarje të tjera kriminale, janë një hap para teknologjisë, investojnë shumë tek pjesa e kushteve logjistike për të kryer një vepër penale apo për të kryer një krim”. Ndërsa avokatja Margarita Kola shprehet se: “Nëse vërtetohet qëllimi apo përdorimi i maskës në një vepër penale, dënimi për tregtarin nëse gjendet e dënon atë në bazë të neni 80 i cili parashikon dënim deri në pesë vite burg për personat që shesin mjete ose sigurojnë mjete për një autor krimi, i cili kryen një vepër penale”. Sipas “Vetting” rezultoi se ka pasur fluks të shitjeve të maskave te persona të ndryshëm pa identitet, duke ngritur alarmin e përhapjes së atyre që mund t’i përdorin në aktivitete kriminale. Vetë shitësi i maskave të silikonit, në komunikim me ata që interesohen, u tregon se nuk është Faton Harizaj, personazhi që u vra në Serbi dhe u varros para disa javësh në Kosovë. Madje, shitësi i maskave në këtë rast është aq i sigurt sa jep disa detaje si psh., mjekra e modeluar e tij. Ky person ka publikuar disa video ku vendos maskat dhe nga verifikimet e bëra rezulton se janë pamje të vërteta, pra nuk janë të vjedhura në internet. Po kështu, në këto adresa gjen edhe doreza silikoni që mbulojnë jo vetëm dorën, por arrijnë deri tek bërrylat, sakaq mund të fsheh lehtësisht edhe tatuazhe identifikuese. Por njëkohësisht arrihen të mbulohen gjurmët e gishtave që mund të lënë në vendngjarje autori apo autorët. Rrjedhimisht duke ulur shanset që hetuesit të identifikojnë personin që ka kryer një vepër penale.
SI MUND TA BLESH NJË MASKË SILIKONI?
Për të vërtetuar me fakte nëse kjo faqe shet maska silikoni te njerëz të botës së krimit, “Vetting” kontaktoi “Albanian Mask”, e cila në profilin e saj kishte të afishuar një numër me prefiks të Kolumbisë +57 318 7046996, ku shkruhej “Kontakto në Whatsapp”. Numri ishte funksional, mesazhi në “Whatsapp”-in e shitësit të maskave të silikonit arriti me sukses dhe brenda pak sekondave “Vetting” mori përgjigje.
BISEDA 1:
“Vetting”: Përshëndetje! A keni gjendje si kjo maska e mëposhtme?
Shitësi i maskave: Kam një gjendje ma kanë prenotu, nëse vjen e merr brenda jave, ta jap. Përndryshe vjen furnizimi për pesëmbëdhjetë ditë. 500 euro bën!
*Autori që shet maskat dërgon një video të maskës që gazetarët e “Vetting” u interesuan.
“Vetting”: A ma sjell në Tiranë apo në vend tjetër që thua ti?
Shitësi i maskave: Unë rri n’veri. Nqs ke mundësi ti, e përgjysmojmë rrugën e takohena pak ma sipër Tiranës, andej nga Miloti.
“Vetting”: OK. Për momentin jam në Itali, sapo të kthehem. Furnizimi tjetër a vjen me çmim me të lirë apo 500 euro?
Më duhet 1-përdorimshme.
Shitësi i maskave: 500 euro, furnizimi vonon se këto bahen me dorë e çdo qime që u ngjisin vonon, se për m’u ta sjell qysh sot. Ti përdore sa të duash vlla kjo a cilësi tamam. As nuk griset, as nuk i bie ngjyra. Sa vonon me ardh ti?
“Vetting”: Të them të drejtën, unë dua të vij sa më shpejt dhe kështu i kam punët. Po bëj planifikimet e mia e do nisem. Vetëm nuk dua ta dijë njeri. As më njeh e as të njoh.
Shitësi i maskave: O vëllai un prandaj s’punoj me asnjë lloj poste as nuk i marr lekët me bankë kurrë. Un t‘jap mallin, lekët n`dorë. Unë jam shumë-shumë korrekt. Prej teje dua që nëse e ban si porosi. Mos t’më lësh t’u prit n’rrugë 3 orë. Orari korrekt. Vendin e lëmë diku ku është mirë për të dy. Edhe shnet e t’mira, kam ba qindra porosi.
“Vetting”: Në rregull, u mbyll, do të vij e ta mbyllim. Vëlla nuk do të më presësh mos u bëj merak se halli është i imi jo i yti.
Shitësi i maskave: OK, pres t’më shkruash i dit para takimit
“Vetting”: Po e marr për hallet e mia jo për qejf. Në rregull.
Shitësi i maskave: Deri atëherë nuk po e shes, nëse ndërron mendje e nuk e don, m’thuj mos ta bllokoj kot. Respekt!
“Vetting”: Pa merak, nuk tërhiqem unë se të thashë kam hall. Nuk e marr për qejf. Prandaj të thashë nuk dua ta dijë askush.
Shitësi i maskave të silikonit pretendon se punimet bëhen me dorë dhe nuk i blen ‘online’ duke i porositur jashtë Shqipërisë. Ai ka shpjeguar se, deri pak kohë më parë maskat vinin nga jashtë vendit me postë apo alternativa të tjera transporti. Por kjo ka qenë disi e pasigurt, duke bërë që shitësit t’i hyjnë rrugës së sigurimit nga prodhues artizanalë vendës. Në këto kushte, vetë shitësi i maskave është intriguar nga kërkesa e “Vetting”, duke insistuar se çfarë vendimi kishim marr në lidhje me blerjen e maskës. Pavarësisht se gazetarët investigativë i kishin thënë shitësit të maskave se do ta kontaktonin pas disa ditësh për të caktuar ditën dhe vendin e blerjes, shitësi tregohet i paduruar dhe kontakton sërish për të pyetur nëse “blerësi” ishte kthyer nga Italia.
PAZARI
Shitësi i maskave: Kyt 500 (dërgon videon e maskës) Hajde merre qysh sot, në fund të autostradës Tiranë-Milot, nëse don 500 euro kena diskutu. Ma kan kërko nja 10 vet, e prz se kam shit. Se ti m’the e du për hall për shpejt. Kur t’jesh i gatshëm me e marr. Veç m’thuj. Nkyt vend pse afër Laq-Milot. Nkyt zone. Ku t’duash.
“Vetting”: Në rregull të them.
Shitësi i maskave: Por Tiranë nuk vij dot.
“Vetting”: Në rregull.
Shitësi i maskave: A mir vlla? OK rsp
“Vetting”: Për hekur nuk bëhet fjalë të më gjesh…
Shitësi i maskave: Jo! Shitësi i maskave: Në rregull flasim sapo të nisem do të shkruaj.
Nga kërkimet e bëra rezulton se maska të ngjashme mund t’i gjesh me çmime 60-100 dollarë në faqe si “Ali Expres”.