Viswashkumar Ramesh, 39 vjeç, është i vetmi mbijetuar nga tragjedia ajrore e Air India-s, e cila mori jetën e 241 personave, përfshirë vëllain e tij, Ajay. Ai përjetoi një dramë fizike dhe emocionale të thellë, duke e përshkruar veten si “njeriun më me fat”, por gjithashtu “të thyer në shpirt”.
Fluturimi, i cili kishte destinacion Londrën, përfundoi në flakë vetëm disa sekonda pas ngritjes, duke shkaktuar një humbje të madhe që tronditi botën.
Në një intervistë për BBC, Ramesh shprehu habitje se është ende gjallë, duke theksuar se humbja e vëllait të tij e ka lënë pa mbështetje. Ai e përshkruan situatën e tij pas aksidentit si një periudhë të rëndë, duke vuajtur nga çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD).
Ramesh ka shprehur se ndjehet i izoluar, duke mos komunikuar me gruan dhe djalin e tij 4-vjeçar. “Jam vetëm… nuk dua të flas me askënd,” tha ai, ndërsa përmendi se çdo ditë është një betejë e dhimbshme për familjen e tij.
Fizikisht, ai ka pësuar dëmtime serioze në këmbë, shpatull dhe shpinë, duke e bërë të vështirë ecjen dhe ndihmën në punë. Ai nuk është në gjendje të drejtojë makinën që nga qershori, duke e detyruar familjen të mbyllë biznesin e tyre të peshkimit në Diu.
Lajmi tragjik ka ndikuar edhe te nëna e tij, e cila sipas familjarëve, nuk ka folur për muaj të tërë pas incidentit.
Këshilltarët e Ramesh gjithashtu kanë kritikuar Air India-n për mungesën e mbështetjeve psikologjike dhe financiare pas aksidentit, duke theksuar se kompensimi prej 21,500 paundësh është i pamjaftueshëm.
Ata shprehin shqetësim se kompania ajrore ka refuzuar të takohet me familjen për t’i ofruar ndihmë më të mirë. Hetimi për aksidentin vazhdon, me raportin paraprak që tregon se furnizimi me karburant të motorëve u ndërpre vetëm pak pas ngritjes.










