Shtetasi Emiljan Nikolli, i njohur edhe si Emiljan Lleshi, është arrestuar nga Policia e Shtetit si autor i dyshuar i 11 vjedhjeve, prej të cilave 7 janë kryer nën kërcënimin e armës. 30-vjeçari akuzohet gjithashtu për djegien e një automjeti në Tiranë, si edhe për kanosjen verbale të ish-vjehrrës së tij.
Arrestimi i Nikollit u bë në kuadër të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, i finalizuar pas hetimeve intensive për një seri vjedhjesh të ndodhura gjatë vitit 2025 dhe muajit janar 2026.
Operacioni u zhvillua nga Policia e Tiranës në bashkëpunim me komisariatet e Kurbinit, Lezhës dhe Mirditës.
Sipas policisë, Nikolli dyshohet se ka kryer vjedhje në dy karburante, një dyqan dhe katër taksi, duke kërcënuar viktimat me një pistoletë lodër. Ai dyshohet gjithashtu për katër vjedhje të tjera në markete dhe banesa në zona të ndryshme.
Në momentin e arrestimit, Nikolli ndodhej në shoqërinë e shtetasit G. D., 42 vjeç, i cili është proceduar penalisht për mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë.
Gjatë kontrollit të banesës së këtij të fundit, policia sekuestroi armë gjahu, fishekë të kalibrave të ndryshëm si dhe një aparat celular, të cilat do të shërbejnë si prova materiale në hetim.
Ndërkohë, uniformat blu vijojnë punën për kapjen e shtetasit A. L., i dyshuar si bashkëpunëtor i Nikollit në disa prej rasteve të vjedhjeve











