Mark Nikaj, xhaxhai i Aleks Nikajt, në një lidhje direkte për një studio televizive, deklaroi se të afërmit e viktimave të 21 Janarit kanë kërkuar që prokuroria të marrë në pyetje edhe kryeministrin Edi Rama për 21 Janarin.
“Janë 15 vjet që ne vuajmë dhe lotët nuk na kanë pushuar për një drejtësi të munguar. Koha për politikanët, pushtetarët e diplomatët e huaj ka mbaruar. Tani kemi të bëjmë me një çështje penale. Shpresat e fundit për të bërë drejtësi dhe ndëshkuar urdhëruesit, vrasësit e vërtetë të 21 Janarit është në duart e hetuesve dhe të prokurorit të SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme po bën hetime të plota për të identifikuar autorët, urdhëruesit e vrasjes të 21 janarit. Kam kërkuar për të ditur në çfarë statusi ndodhet hetimi i kësaj çështjeje. Ka një zvarritje të pakuptimtë. Ndoshta është e vështirë sepse është një dosje sipas nesh e masakruar nga Prokuroria e Tiranës dhe Gjykata e Lartë që për mua mbanë përgjegjësi sepse kanë larguar nga dosja edhe dokumente që mund të arrinin në një përfundim më të shpejtë”, tha fillimisht Mark Nikaj.
Ai theksoi se është bërë dhe një “memo që të pyeten edhe personat e tjerë që janë përcaktuar ose kërkuar nga ana jonë në Prokurorinë Speciale, edhe kryeministri aktual”.
“Ka edhe persona të tjerë që tani s’i mbaj mend se janë të shumtë nga Garda, nga Shërbimet Civile që ishin atë ditë, nga policia… Pikëpyetje është lufta politike midis të majtës dhe të djathtës, kush të qëndrojë në pushtet. Partia Demokratike kishte në platformën e saj, sipas meje, ruajtjen e pushtetit me dhunë dhe vrasje. Ish-kryeministri thotë se ligji i lejon vrasjet e demonstruesve. Si mundet të thuhet se është vrasje legjitime vrasja e nipit tim 100 metra larg Kryeministrisë? Ne kemi dorëzuar në SPAK një kasetë ku aty është identifikuar urdhërdhënësi dhe personat që kanë marrë urdhër për të qëlluar. Këtu nuk ka nevojë shumë për hetim sipas meje, sepse ky krim makabër është i filmuar nga media dhe është transmetuar fill pas ngjarjes”, tha Mark Nikaj.










