Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij në Parlament me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë e renditi këtë datë mes datave më të rëndësishme që shënjojnë historinë e Shqipërisë dhe Kosovës.
Më tej ai u ndal tek procesi gjyqësor në Hagë i ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se ata po përballen me akuza të padrejta, vetëm sepse guxuan të merrnin armët për liri.
Ai drejtoi gishtin nga Beogradi, duke thënë se krime kundër njerëzimit ndaj popullatës shqiptare ‘ka kryer Serbia e Millosheviçit’, ndërsa theksoi se ‘kërcënim për përsëritjen e tyre është Serbia e Vuçiçit’.
“Më 17 shkurt u arrit një shkallë tjetër e lartë në përfaqësimin tonë në Ballkan dhe Evropë. Dita e sotme është ditë përkujtimi për ata që flijuan për lirinë.
Ne kujtojmë sot qëndresën paqësore të 1990, kujtojmë UCK-në. Përkulemi me nderim para dëshmorëve.
Ndërsa kujtojmë datën e shpalljes së republikës, brengosemi që krerët e UCK po akuzohen padrejtësisht sepse ata guxuan të marrin armët kundër një regjimi gjenocidal.
Akuzat ndaj tyre nuk qëndrojnë. Ato nuk marrin parasysh kontekstin historik dhe politik të luftës tonë çlirimtarë.
Krime kundër njerëzimit ndaj popullatës shqiptare ka kryer Serbia e Millosheviçit. Kërcënim për përsëritjen e tyre është Serbia e Vuçiçit”, tha ndër të tjera, Albin Kurti.










